Shantazhonte dhe përdhunonte femra, pranga shqiptarit në Itali

Opinioni italian është tronditur kur ka mësuar nga policia historinë e një burri, maniak seksual që shantazhonte femrat me foto të “Facebook”-ut dhe më pas i përdhunonte.

Lajme

07/02/2016 12:04

Ndonëse jetonte në qendër të Milanos, e kalonte të gjithë ditën në ndjekje të vajzave të reja dhe të minoreneve dhe mësohet se, kur arrinte të dilte në takim me to, i përdhunonte brutalisht. Të paktën 3 vajza kanë denoncuar dhunën e tij, ndërsa ditën e djeshme, orëve të para, i konsideruari si “mostra”, është arrestuar. Ai është 39 vjeç, thotë policia dhe se është shqiptar pa dokumente dhe leje qëndrimi.

“Enzo Milano” ishte emri i tij në rrjetet sociale, por përdhunuesi përdorte foton e një 17-vjeçari italian që ia kishte vjedhur në Facebook. Pasi takohej me “prenë” e tij hiqej si shumë i dashuruar duke e bindur t’i dërgonte foto nudo. Sapo shtinte fotot në dorë ai niste kërcënimet se ato do t’i bënte publike, e kështu realizonte abuzimin me femrat. Ngjarja që ka arritur të zbulojë edhe ekzistencën e një personi të tillë në Itali është zbuluar nga një grua, nënë e një vajze të sëmurë. Vajza, 20 vjeç, me aftësi të kufizuara, e cila është abuzuar nga shqiptari i ka treguar rreth një javë më parë nënës së vet, ku kjo e fundit e alarmuar është dorëzuar në polici bashkë me të bijën. Mediat italiane kanë mundur të nxjerrin detajet e para ditën e djeshme në lidhje me maniakun, ndërsa policia ka mbajtur sekret emrin, por ka vënë në dispozicion një numër telefoni ku iu bën thirrje femrave që kanë rënë pre e tij të kryejnë denoncimet dhe të dorëzohen në polici.

Arrestimi i maniakut shqiptar

Quhet “Enzo Milano” në “Facebook”. Ashtu ka qëndruar për një kohë të gjatë në rrjetin social me profilin e një djaloshi italian vetëm 17 vjeç. Referuar të dhënave që vijojnë nga mediet italiane bëhet me dije se mekanizmi i përdorur prej tij është mekanizëm që zakonisht përdoret për vënie gjobash, ndërsa shqiptari i arrestuar mësohet se jo vetëm që abuzonte me viktimat e tij, por madje ai edhe i keqtrajtonte. Pas denoncimit që ka bërë nëna e vajzës me aftësi të kufizuara, mësohet se në policinë italiane janë dorëzuar denoncimet edhe të dy femrave të tjera, ndërsa ekspertëve të hetimeve të krimeve seksuale u janë dashur më shumë se një javë për të shkuar tek 39-vjeçari shqiptar.

Policia italiane bën me dije se ai ishte ilegal në Itali dhe se dyshohet se ka edhe femra të tjera që kanë rënë pre e dhunës verbale dhe seksuale të tij, ndërsa ende nuk bëhet me dije se çfarë ka rrëfyer në polici shqiptari me emrin “Enzo Milano”. Mediat italiane tregojnë se një nga format e presionit që përdorte “Milano” , pasi siguronte fotot nudo të femrave ishte se do t`i vinte fotot në profilin e tij dhe do t`ua dërgonte prindërve të tyre pastaj. Sipas të dhënave të policisë italiane, ka dyshime të forta se pre e tij të kenë rënë edhe fëmijë të mitur, pasi që të tria femrat që kanë bërë denoncimin kanë probleme fizike e për pasojë dyshohet se shqiptari gjurmonte vetëm femra me probleme të tilla dhe fëmijë, për shkak të pamundësisë për t’u mbrojtur dhe për të reaguar. Policia italiane vë në dispozicion të të gjithë personave që janë abuzuar nga ky person, të cilit i kanë bërë publik edhe foton, po jo emrin, të telefonojnë policinë./shekulli