Shangai hyri në javën e tretë të karantinës, por a rrezikohet Kosova nga një valë e re e virusit?

Kina po vazhdon të përballet me raste të reja të virusit COVID-19, ku listës së qyteteve të prekur me virus po i prin Shangai.

Lajme

18/04/2022 13:30

Në 24 orët e fundit në Kinë janë konfirmuar 2 mijë e 742 raste të reja me COVID-19, nga të cilat 2 mijë e 417 janë në Shangai, qytet ky i cili tashmë ka hyrë në javën e tretë të bllokimit.

Gjatë kësaj periudhe, Kina ka regjistruar edhe 20 mijë e 718 infeksione të reja asimptomatike, nga të cilat 79 ishin të importuara dhe 20 mijë e 639 transmetuar në nivel lokal.

Nga këto infeksione asimptomatike, 19 mijë e 831 janë regjistruar në Shanghai.

E duke qenë se rastet e tilla po e kalojnë shifrën mbi 20 mijë, autoritetet po përpiqen të gjejnë hapësirë ​​të mjaftueshme, duke shndërruar sallat e ekspozitës dhe shkollat në qendra karantine si dhe duke ngritur spitale të improvizuara.

Gjatë kësaj periudhe janë konfirmuar edhe tri viktima nga COVID-19 në Shangai, duke shënuar kështu rastet e para të vdekjeve që nga fillimi i bllokimit të qytetit.

Kina është një nga vendet e fundit që ka mbetur ende e angazhuar për çrrënjosjen e koronavirusit, ndryshe nga pjesa më e madhe e botës që po përpiqet të jetojë me virusin.

Kështu, mes shqetësimeve për kufizimet e ashpra, Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka urdhëruar stafin të largohet nga konsullata në Shangai.

Por kjo politikë zero-Covid është vënë nën tendosje javët e fundit me përhapjen e variantit Omicron.

E tërë kjo situatë erdhi pas përhapjes së një vale të re të variantit Omicron dhe nënvarianteve të tij, më i njohuri prej të cilëve është ai që njihet si nënvarianti “BA.2”.

Se një nënvariant i tillë është në qarkullim në shumë vende, për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, e cila tha se as vendi ynë nuk duhet neglizhuar një situatë të tillë.

“Në disa vende është në qarkullim tashmë nënvarianti BA.2 i Omicron, prandaj nuk duhet neglizhuar situatën dhe duhet bërë kujdes. Sistemi duhet të jetë gjithë kohën i mobilizuar, për aq kohë sa pandemia është aktivë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu bëri thirrje që përkundër situatës aktuale të qetë epidemiologjike në vendin tonë, të bëhet zbatimi me përpikëri i masave që janë në fuqi. Kjo ministri poashtu tha se duhet të vazhdojë edhe vaksinimi i qytetarëve.

Mirëpo, edhe nëse Kosova përballet me një valë të re të virusit, Ministria e Shëndetësisë siguroi se do të jenë në gjendje ta përballojnë atë.

“Shëndetësia e Kosovës ka përballuar secilën valë të deritanishme të COVID-19, disa më lehtë e disa më vështirë, varësisht prej ashpërsisë së tyre dhe do të jetë në gjendje ta përballoj edhe ndonjë valë tjetër eventuale nëse manifestohet”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë konfirmuar 23 raste të reja me COVID-19, nga 1 mijë e 344 testime ditore dhe janë shëruar edhe 26 pacientë.

Aktualisht në vendin tonë janë gjithsej 481 raste aktive me këtë virus.