Shala: VV-së nuk i kemi kërkuar asgjë, ajo nuk po e koncepton modelin e propozuar nga ne

Anëtari i kryesisë së LDK-së Kujtim Shala, në emisionin Blic InterView, ka mohuar se i dërguar special i Presidencës së SHBA-së Richard Grenell ka bërë presion ndaj tyre për krijimin e koalicionit qeverisës me VV-në.

Lajme

24/01/2020 23:00

Shala, tha se temë diskutimi me Grenell ka qenë ekonomia e vendit dhe koncepti i LDK-së për tregun, transmeton Klan Kosova.

“Nuk ka pasur presion për krijimin e Qeverisë. Thelbi i bisedës ka qenë zhvillimi ekonomik, koncepti i LDK-së për tregun, raportet e institucioneve të reja të Kosovës me bizneset dhe tema të kësaj natyre”.

Ndërkaq i pyetur se çfarë po e pengon arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me VV-në, Shala tha se partia e pretendentit për Kryeministër Albin Kurti nuk e ka kuptuar deri më tani modelin e propozuar nga LDK, dhe ky sipas tij është problemi thelbësor.

“Unë mendoj që problemi themelor është konceptual, sepse Lëvizja Vetëvendosje s’ka arritur të konceptojë deri në fund modelin që e kemi propozuar ne. Ajo që propozojmë ne është pushteti proporcional, pra si mjet që të zgjidhim problemet për të cilat jemi dakordaur edhe sipas plan programit”.

“Ndërsa Vetëvendosje vazhdimisht ka propozuar variante të reja, por ne jemi ende tek propozimi i parë”,u shpreh Shala, duke shtuar se “nëse e shikoni me kujdes, modelin qe e kemi dhënë ne është për një pushtet të balancuar”.