Shala: Qeveria shkeli ligjin, dërgoi vetëm CV-të e të nominuarve për bord të ARKEP-it

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti gjatë shqyrtimit të vendimit të Qeverisë për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare – ARKEP nuk ka proceduar tutje bordin e nominuar nga Qeveria e Kosovës, me arsyetimin se mungojnë disa dokumente të kandidatëve.

Lajme

18/05/2021 20:20

Kryetari i këtij komisioni parlamentar, Ferat Shala, ka thënë për lajmi.net se me dokumentacionin e mangët të kandidatëve, Qeveria e Kosovës e ka shkelur ligjin.

“Sot ne patëm mbledhje të komisionit dhe Qeveria e ka procedu vendimin e saj për të kaluar përmes instancave të komisionit për në parlament, Por që në pjesën e procedimit të saj Qeveria faktikisht i ëshët shmangur zbatimit të ligjit apo me thënë më mirë e ka shkel ligjin, i cili është i qartë se çfarë duhet të përmbajë një dokumentacion i një kandidati për të qenë anëtar i bordit ose kryesues i Bordit të ARKEP-it. Komisioni, pas një debati sqarues në lidhje me ligjin, i ka kthy Qeverisë dhe i ka dhënë një afat që të plotësojë dosjet e secilit kandidat, mbështetur në ligj. Në këtë rast në komision nuk kalon diçka që nuk është e paraparë me ligj”, ka thënë ai.

Shala ka bërë të ditur se përveç CV-ve të kandidatëve, nga Qeveria e Kosovës nuk është dërguar asnjë dokument tjetër.

“Përveç CV-ve të kandidatëve, asnjë dokumentacion tjetër nuk ka qenë. Ka qenë e paplotë dosja e kandidatëve. Ka qenë paplotësuar përvoja e punës – nuk ka dëshmi për përvojën e punës, nuk ka dëshmi për përshtatshmërinë ligjore, d.m.th a kanë ndonjë vepër ligjore apo ndonjë deklaratë tjetër që e pengon gatishmërinë e tyre sipas ligjit për të kryer detyrat, e kështu me radhë. Këto janë dokumente që ligji i përcakton qartë”, ka shtuar ai.

Lista që është miratuar nga kabineti qeveritar ditë më parë për Bordin e ARKEP përbëhet nga: Nazim Rrahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar./Lajmi.net/