Shala: Letra e Gjuriqit, ndërhyrje e flagrante në sistemin e drejtësisë së EULEX-it

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut(KMLDNJ), Behxhet Shala, ka deklaruar që kërkesa e Qeverisë së Serbisë që i dyshuari për krime lufte, Oliver Ivanoviq të mbrohet në liri është një shkelje flagrante në punën e gjykatave.

Lajme

11/08/2015 16:30

Sipas tij, letra e dërguar nga drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në adresë të EULEX-it dhe UNMIK-ut, nuk paraqet rastin e parë që Serbia ndërhynë në punët e brendshme të Kosovës, përkatësisht në proceset gjyqësore, raporton lajmi.net.

Shala thotë se dyshon që presionet politike nga ana e Serbisë mbi gjykatën që ka vendosur masën e paraburgimit ndaj Ivanoviqit mundë ta ndryshojnë edhe vendimet e marra nga paneli i gjyqtarëve të EULEX-it.

“Serbia nuk ka këtu se çka të intervenojë, sepse këto punë janë të gjykatës dhe gjykata e vendos. Ka një frikë që gjykata do të bëjë lëshime dhe do të caktojë një masë tjetër për Oliver Ivanoviq, sepse qysh tash Gjykata e EULEX-it ka deklaruar që mbrojtja e Ivanoviqit nuk ka ofruar fakte për tu mbrojtur në liri”, ka thënë Shala në një deklaratë për lajmi.net.

Sipas tij edhe ky rast paraqet një ndëryrje flagrante dhe të palejushem në sistemin e drejtësisë.

“Kjo është një ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë dhe e palejueshme, sepse asnjë shtet normal nuk do të lejonte që dikush të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë. Por Kosova është një shtet që shumë pak vendos për veten e saj dhe është shtet i cili i nënshtrohet shumë presioneve ndërkombëtare”, ka thënë Shala.

Sot gjatë ditës nuk pasur reagime as nga UNMIK-u apo EULEX-i, institucione këto të cilëve u është drejtuar zyrtari serb me kërkesën që t’i ndërrohet masa e paraburgimit të dyshuarit për krime lufte, Oliver Ivanoviq nga paraburgimi në mbrojtje në liri. (lajmi.net)