Shala: Kalaja e Vuçakut shumë shpejt do të jetë një atraksion i vërtetë turistik

Veprimtari i çështjes Kombëtare dhe kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka vlerësuar se Kalaja e Vuçakut shumë shpejt do të jetë një atraksion i vërtetë turistik, jo vetëm për Kosovën.

Lajme

18/09/2019 22:20

Shala i cili është ideator dhe mbështetësi i punëve që janë kryer dhe po kryhen në Kalanë Vuçakut, e ka vizituar këtë lokalitet të pasur arkeologjik.

“Kalaja e Vuçakut, thonë arkeologët, është tipike për qytetërimin e Antikitetit të Vonë dhe dikur shërbente si fortifikatë lufte dhe mbijetese për popullatën vendase”, thotë Shala.

Postimi i Shalës në Facebook:

Ngjyrat e vjeshtës paskan nisur të bien mbi kurorën e maleve të Kosmaçit. Këtu jam në akset e kullave me mure të gjera të Kështjellës mbi Gradinë të Madhe. Deri para pak vjetësh kjo Kala ka ekzistuar vetëm në gojëdhëna dhe legjenda.  Në 3-4 vitet e ardhshme besojmë shumë se kjo Kala do të jetë një atraksion i vërtetë turistik jo vetëm për Kosovën.  U desh shumë angazhim që të sillej këtu një ekspeditë arkeologësh për ta nxjerr nga dheu këtë perlë të mrekullueshme të Drenicës së Mesme. Kalaja e Vuçakut, thonë arkeologët, është tipike për qytetërimin e Antikitetit të Vonë dhe dikur shërbente si fortifikatë lufte dhe mbijetese për popullatën vendase. Që nga viti 2015 Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës ka ndarë herë pas here fonde për gërmime në këtë Kala. Tani kësaj ekspedite i duhet një dinamikë e shtuar; një bashkërendim i veprimeve me Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe m e institucione të tjera të linjës.  Ideja ime për ta ndërtuar një linje turistike me sens kulturor dhe historik, e cila do t’i jepte karakter përbashkues historisë së lashtë dhe asaj më të re, duke e lidhur me një rrugë automobilistike qendrën përkujtimore “Adem Jashari” në Prekaz, Kalanë e Vërbocit, Kalanë e Vuçakut, Kalanë e Llapushnikut dhe Parkun Memorial të UÇK-së në Kleçkë, po gjen përkrahje nga institucionet dhe nga qytetarët. Me Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës të cilën do ta prijë z. Kadri Veseli, kam shpresë dhe besim të madh se kjo ëndërr e imja do të bëhet realitet. /Lajmi.net/