Shala i LDK-së: Koalicioni i pranon parimet e VV-së (Video)
Maratona e bisedimeve ndërmjet tri partive të bllokut LDK,AAK Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje po i vjen fundi, ka thënë anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Lajme
Kërkesat e Lëvizjes së Albin Kurtit, apo parimet e qeverisjes, si i quan Kujtim Shala, i cili është një prej njerëzve kryesorë të koalicionit për t’i vazhduar bisedimet me drejtuesit e Vetëvendosjes, janë të pranueshme për partitë e koalicionit dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pritet të zyrtarizohet koalicioni i përbërë prej 63 deputetëve shqiptarë.
Shala tha për TV Rrokum se bisedimet do të fillojnë menjëherë pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, që do të merret deri më 18 shtator.
Dardan Molliqaj, sekretari i VV-së, ka thënë se ky lajm është i mirë dhe VV është e gatshme të ‘lëshojë pe’ në disa kushte, sidomos në bisedimet me Serbinë, ku nuk do të kërkojë që ata të jenë vendimmarrës, por vetëm prijës të bisedimeve.
Edhe Molliqaj pret që fill pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të takohen dhe ta nënshkruajë marrëveshjen për koalicion të përbashkët qeverisës.
Sipas Fisnik Korenicës, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, kërkesa nga ndërkombëtarët për të tre liderët e koalicionit që Vetëvendosje të mos jetë prijëse e bisedimeve, dhe ankesa e deputetëve të Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese, ka zvarritur nënshkrimin e koalicionit opozitar me Vetëvendosjen.