Shaip Muja si “magjistar”: Demarkacioni me Malin e Zi zgjidhet për 24 orë

Deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi në seancën e Kuvendit të zhvilluar të enjten propozoi një debat profesional-shkencor mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Demarkacionit dhe njohësve të kësaj çështjeje ku do të ballafaqoheshin argumentet.

Lajme

13/07/2016 17:37

Në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi deputeti Shaip Muja tha se çështja e demarkacionit mund të zgjidhet për 24 orë.

Në pikën e rendit të ditës ku diskutohen çështje të ndryshme, anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor diskutuan në lidhje me nënshkrimin e nismës për debat rreth demarkacionit.

Deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi në seancën e Kuvendit të zhvilluar të enjten propozoi një debat profesional-shkencor mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Demarkacionit dhe njohësve të kësaj çështjeje ku do të ballafaqoheshin argumentet.

Deputeti pa subjekt politik Shaip Muja në mbledhjen e komisionit tha se çështja e demarkacionit me Malin e Zi mund të zgjidhet për 24 orë.

“Me dasht ne çështja e demarkacionit zgjidhet për 24 orë. Paradite analizohet procesverbali i diskutimeve për marrëveshje, edhe vihen në konkludim procedurat politike, historike, gjeologjike dhe marrëveshjeve gjentëlmene. Përfundon ajo punë, vijmë deri tek vizimi, mbi bazën e hartografisë, i kemi hartat elektronike edhe ne edhe Mali i Zi dhe me dy kompjutera qiten dhe shihen ka kalojnë vijat në bazë të asaj që kemi bisedu,” tha Muja.

Ai akuzoi qeverinë për paaftësi në lidhje me gjetjen e zgjidhjes për procesin e demarkacionit që sipas tij i la hapësirë opozitës të duket diletante, arrogante dhe shkatërruese.

Diskutimi për demarkacionin nuk i pëlqeu anëtares Emilja Rexhepi e cila theksoi se qeveria qëllimisht anashkalon këtë komision në lidhje me përcaktimin e vijës kufitare me shtetin fqinj.

“Ju vetëm po komentoni për këtë çështje. Qeveria qëllimisht e ka anashkaluar këtë komision, gjithçka ka shkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, andaj pse të debatojmë pa pasur ndonjë material para vetes për këtë çështje,” tha Rexhepi.

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor miratoi në parim Projektligjin për Performancën Energjetike në Ndërtesa e cila shkon në Kuvend për lexim të parë.

Komisioni po ashtu vendosi të hapë konkursin për kryesues dhe zëvendësdrejtor të Komisionit Shqyrtues të Zyrës së Rregullatorit për Ujë dhe Mbeturina.