Shaip Muja intervistohet nga Gjykata Speciale?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, është intervistuar nga Gjykata Speciale.

Lajme

25/06/2019 12:14

Gjykata Speciale e ka intervistuar edhe ish-deputetin e PDK-së, Shaip Muja.

Së paku kështu tregojnë burime të Gazetës inFokus, sipas të cilave intervistimi i tij mësohet se është bërë para rreth dy muajsh, por që deri më tani është mbajtur tërësisht fshehtë edhe nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, por edhe nga vetë ish-deputeti dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Shaip Muja.

Nga burime ndërkombëtare mësohet se Muja është kontaktuar fillimisht në Prishtinë dhe është intervistuar më pas në Hagë.

Vetë Muja, në një prononcim për Gazetën inFokus nuk ka dashur të jap informacione lidhur me këtë çështje, duke thënë se nuk është i obliguar të tregoj nëse është intervistuar ose jo.

Muja as nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar nëse ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale.

“Informatat e mia interne nuk i shpërndajë kërkah, kah shkoj a çka boj. Nuk e di kah e ke marrë këtë informacion. Nuk është puna a po du me tregu, nuk jam edhe u kry”, ka thënë shkurtimisht Muja.

Në raportin e Dick Martyt, ish-deputeti Shaip Muja ka qenë i apostrofuar si i përfshirë në trafikimin me organe, por edhe organizatat ndërkombëtare që kanë operuar me rendin dhe ligjin në Kosovë dhe janë marrë me hetimin e këtyre pretendimeve, përkatësisht UNMIK-u dhe EULEX-i, nuk kishin arritur që të gjejnë ndonjë dëshmi të vlefshme për ta ulur Mujën në bankën e të akuzuarit.

Ish-deputeti Shaip Muja ishte i përfshirë më vonë edhe në procesin e njohur si Medikus.