Shahini: Sipas kritereve të Këshillit Ekonomik Social, aktualisht nuk mund të ketë pagë minimale mbi 225 euro

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se sipas kritereve për rritjen e pagës minimale, ku përfshihen rritja e GDP-së dhe Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve, aktualisht nuk mund të ketë pagë minimale më shumë se 220-225 euro.

Lajme

23/02/2022 14:32

Shahini ka paralajmëruar se rritja e pagës minimale në 350 euro, sikur po e kërkojnë sindikatat, do të kishte impakt të menjëhershëm në buxhetin e shtetit mbi 120 milionë euro, pasi sipas ligjit, do të përfitonin dhe rreth 40 mijë veteranë.Aleanca Kosovare e Bizneseve është anëtare e Këshillit Ekonomik-Social (KES), i cili këshill do të duhej që çdo fundvit të rriste pagën minimale për vitin kalendarik në vazhdim, bazuar në kriteret e parapara.

Shahini thotë se KES do të duhej të merrte vendim për rritjen e pagës minimale, por zbatimi do të duhej të niste nga janari i vitit 2023.

“Ne si AKB bëjmë hulumtime të vazhdueshme për kriteret e rritjes së pagës minimale, dhe paga minimale sipas kritereve aktuale që duhen zbatuar, sipas udhëzimit 09-2017, neve nuk na del në asnjë formë (350 euro). Duke u bazuar që rritja e GDP-së ka qenë 9.7 % dhe indeksi i harmonizuar i çmimeve 4.5 %, nuk mund të kemi një pagë më të lartë se 220 deri 225 euro”.

“Por, vendimet politike janë jashtë kompetencave të Këshillit Ekonomik-Social”, thekson ai për EkonomiaOnline.

Shahini ka rikujtuar se të gjithë kryeministrat e mëhershëm, e deri tek ky i tanishmi, Albin Kurti kanë deklaruar se do të ketë rritje të pagave minimale, por në vazhdim të mandatit e kanë lënë anash premtimin, zakonisht të bërë gjatë zgjedhjeve.

“Të gjithë kryeministrat në fillim të mandatit kanë deklaruar që do ta rritin pagën minimale, do të bëjnë reforma në ekonomi, do ta zhvillojnë vendin, por me kalimin e mandatit i kanë lënë anash dhe kanë mbetur me të vjetrën. Që nga viti 2011 dhe këndej nuk ka pasur asnjë lëvizje të pagës minimale edhe pse Këshilli Ekonomik Social në vitin 2017 pat bërë një rekomandim të rritjes së pagës minimale, duke u bazuar në disa indikatorë jorealë, por më shumë politikë për 250 euro dhe në fund të 2017-ës ka nxjerrë udhëzimin administrativ 09-2017, ku përcaktoi kriteret e pagës minimale”.

“Ne si Këshill, si partnerë, jemi duke kërkuar vazhdimisht që të rishikohet vendimi për pagën minimale. Duhet të ketë një lëvizje pozitive”.

Nga rritja e pagës minimale do të përfitonin automatikisht dhe 36-40 mijë veteranë të luftës së UÇK-së.

“Impakti në buxhetin e shtetit, sikur të ishte paga minimale e kërkuar nga punëkërkuesit në 350 euro, do të ishte mbi 120 milionë euro për veteranët që janë diku 36-40 mijë. Pra, kjo është e lidhur njëra me tjetrën dhe mendoj se shteti i Kosovës nuk ka kaq mjete të lira që ta përcjellë rritjen e pagës minimale në këtë vlerë”, ka theksuar kreu i AKB-së.

Ministria e Financave është në finalizim të Projektligjit për rritjen e pagës minimale, por niveli i saj ende nuk është vendosur.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij së shpejti do të dalë me propozimin për nivelin e pagës minimale.Në fillim të mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se rritja e pagës minimale do të bëhet me qëllim që njerëzve t’u mundësohet jetë më e dinjitetshme.Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.Para ardhjes në detyrë, kryeministri Albin Kurti ishte zotuar që rritja të jetë në 250 euro.Por, sindikatat kërkojnë që rritja të jetë së paku 350 euro. Madje, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, tha sot në një konferencë shtypi se nuk do të pajtohen me asnjë pagë minimale nën 400 euro.