Sfida Maqedoni – Kosovë luhet pa tifozë?

Sipas Evelin Kristilin, anëtares së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, sfidat e balotazhit të Ligës së Kombeve mund të zhvillohen pa prezencën e publikut edhe nëse ato zhvillohen në muajin tetor.

Sport

05/06/2020 15:18

Kombëtarja e Kosovës ka një mundësi të artë të sigurojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian përmes Ligës së Kombeve.

‘Dardanët’ duhet të luanin që në mars ndeshjen kundër Maqedonisë, por e cila është shtyrë shkaku i COVID-19.

Ishte thënë se kjo ndeshje mund të luhet në qershor, por ishte vendosur të shtyhej sërish, deri në një datë të pacaktuar, dhe së fundi, tetori shihet si një datë e mundshme.

“Stadiumet mbeten të zbrazur dhe për këtë do të diskutojmë në takimin e Komitetit Ekzekutiv. Shumë faktor ndikojnë në këtë vendim, ndërsa më kryesore është pandemia “Covid 19” dhe sa janë të prekura vendet, ku do të luhet futbolli. Është një problem kompleks, andaj nuk duhet të udhëhiqemi nga pasioni, por vendimi i drejtë,” ka thënë mes tjerash Kristilin, e cila është pesimiste për rikthimin e shpejtë të tifozëve në stadiume, përcjell Alsat.

Takimi i Komitetit Ekzekutiv është caktuar më 17 dhe 18 qershor, ku do të caktohen datat e sakta të balotazhit dhe nisjes së sezonit të ri në futbollin evropian. Ndërkohë mediat raportojnë se ndeshjet e balotazhit do të zhvillohen në tetor, ndërsa ato të finales në muajin nëntor./Lajmi.net/