Sfarqa: Nuk jemi humbës, kemi kryeministrin

Kryetari i Ferizajt nga radhët e LDK-së, Muharrem Sfarqa thotë se nuk duhet të ketë asnjë dyshim se qeverinë e ardhshme do ta udhëheqë LDK-ja dhe se kryeministër do të jetë Isa Mustafa.

Lajme

24/11/2014 18:28

Sfarqa në emisionin InfoMagazinë të Klan Kosovës tha se, pavarësisht se ka të pakënaqur për arritjen e koalicionin qeverisës me PDK-në, LDK-ja nuk duhet të ndihet humbëse pasi që ajo do të ketë kryeministrin dhe 8 ministri. Sipas tij, një koalicion i tillë është arritur për shkak të interesave të shtetit.

“Mendoj që megjithatë heshtja është e pajustifikueshme, sepse LDK ka kaluar përmes një procesi transparent. Ne kemi pasur shpresa që deri në fund të përdoren ato që u quajtën forma të ridizajnimit të Bllokut. Ka pasur arsye që të mos bëhet, por ky koalicion me PDK-në po bëhet për interesa të shtetit”.

“Për mua është krejtësisht e qartë se kush do të udhëheqë me qeverinë dhe për mua nuk do të duhet të ketë dilema për këtë gjë”.

“Ne nuk kemi asnjë arsye që të ndihemi inferiorë apo të ndihemi humbës, sepse e kemi postin e kryeministrit dhe kemi 8 ministri”.

“Të pakënaqur ka pasur dhe ka aktualisht”, shtoi ai.

“Të gjithë ata që kanë qenë të akuzuar për keqqeverisje nuk do të jenë pjesë e kësaj qeverisje. Besoj se Mustafa do të zgjedhë figura jokontestuese, ku do të jetë një qeveri e pakorruptuar dhe e cila do të ketë mbështetje nga shtetet e botës, të cilat do t’i ndihmojnë Kosovës që ta zë hapin”.

Për Sfarqën, marrja e drejtimit të qeverisë nga LDK-ja, për herë të parë pas luftës, është “shpresa e fundit” për ndaljen e keqqeverisjes.

“Ka qenë vendim tjetër, që kësaj radhe të realizohet një e drejtë historike që LDK ta udhëheqë qeverinë dhe shpresa e fundit është që LDK të ndalojë këtë keqqeverisje”.

“Kemi thënë se PDK nuk do ta udhëheqë qeverinë dhe i jemi përmbajtur kësaj, sepse ne do ta udhëheqim qeverinë”, tha Sfarqa.

PDK dhe LDK kishin qeverisur së bashku edhe në vitin 2007, por në 2010 ata u ndanë dhe LDK-ja kishte thënë se qeverisja me partinë e Hashim Thaçit ishte përvojë e keqe. Por, sipas Sfarqës kësaj radhe do të jetë ndryshe, pasi që LDK-ja do ta udhëheqë këtë qeveri.

“Mendoj që ajo që ka qenë përvojë e keqe nuk na e kufizon të drejtën që të provojmë përsëri dhe të bëjmë më mirë. Tani kemi demokraci më të avancuar dhe brenda vet LDK-së. Ne jemi shembull për demokraci të brendshme”, vlerësoi ai.

Sfarqa tha se Blloku u prish me fajin e të gjithë liderëve pasi “kishte mungesë të vullnetit për të lëvizur nga pozicionet karshi rrethanave të reja”.

“Unë mendoj që bllokun e prishi mungesa e gatishmërisë së lidershipit për të bërë lëvizje për rrethanat e reja. Të gjithë jemi fajtorë nga pak”, tha Sfarqa për Klan Kosova.