Sezon fantastik i Bayernit

Arjen Robben e konsideron sezon të suksesshëm, atë të cilin e zhvilloi Bayern Munichu. Gjiganti bavarez e fitoi të shtunën mbrëma trofeun DFB-Pokal, pasi më parë e kishte fituar Superkupën e Evropës dhe të Gjermanisë, si dhe Bundesligën.

Sport

18/05/2014 10:49

Arjen Robben insiston se Bayern Munich e kishte një sezon fantastik, pasi e fitoi trofeun DFB-Pokal të shtunën mbrëma.

Dy golat e realizuar në lojën shtesë nga mesfushori golandez dhe sulmuesi gjerman, Thomas Muller ia siguruan fitoren 2:0 gjigantit bavarez ndaj Borussia Dortmund në Berlin.

Trajneri Pep Guardiola ishte kritikuar pas eliminimit nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale nga Real Madrid, por Robben mendon se katër trofetë e këtij sezoni, përfshirë këtu edhe Superkupën e Evropës dhe të Gjermanisë, nënkuptojnë një sezon i suksesshëm.

“Këto ndeshje janë më të mirat. Duhet t’i shijosh ato dhe të jesh gati. Unë nuk e kisha topin si zakonisht, por e prisja. E dija se rasti im do të vinte”, deklaroi Robben për televizionin ARD.

“Ishte një sezon i shkëlqyeshëm. Duke e fituar Kupën, Bundesligën dhe duke thyer disa rekorde, e duke shkuar deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, nuk është dhe aq keq”, vazhdoi ai.