Sërish shokohet bota: Xhihadistët i presin kokën një ushtari kurd (Video)

Pjesëtarët e Shtetit Islamik po vazhdojnë të tmerrojnë botën me krimet e tyre. Xhihadistët kanë publikuar një video të re ku shfaqen duke i prerë kokën një ushtari kurd, me qëllimin për të dërguar mesazh te kurdët që të ndërpresin aleancën me perëndimin. 

Bota

29/08/2014 18:00

Vetëm pak kohë pasi kishin publikuar videon ku shihen tek masakrojnë më shumë se 250 ushtarë sirianë, Shteti Islamik ka nxjerrë një video tjetër, ku kryhet një vrasje e rëndë. 

Në këtë video, ekzekutimi është i ngjashëm me atë të gazetarit amerikan James Foley, të cilit iu pre koka. 

Edhe pse, ushtari kurd dhe ekzekutuesit janë të veshur ngjashëm, nuk dihet ende nëse vrasja është kryer nga të njëjtit njerëz. 

Viktima këtë herë është një ushtar kurd, përmes ekzekutimit të së cilit, xhihadistët kanë pasur qëllim t’i dërgojnë mesazh luftëtarëve kurd që të prishin aleancën me perëndimin, të cilët së bashku po e luftojnë Kalifatin Islamik. 

Në video ata dërgojnë mesazh kërcënues, duke thënë se do të presin kokat e të gjithë të burgosurave, nëse Shtetet e Bashkuara nuk tërhiqen nga Iraku dhe nëse nuk ndalojnë mbështetjen e kurdëve në luftën kundër Shtetit Islamik.