Sërish Kurti: Shqiptarët patriotë duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të ngrihet zëri kundër burrave që ngrejnë dorë ndaj grave. Ai këtë gjë e ka kërkuar nga ata që e konsiderojnë vetën patriotë. Këtë reagim Kurti e ka bërë në ‘Facebook’, duke thënë se secili qytetar në Kosovë e njeh së paku një familje ku ushtrohet dhunë,…

Lajme

01/12/2022 11:18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të ngrihet zëri kundër burrave që ngrejnë dorë ndaj grave. Ai këtë gjë e ka kërkuar nga ata që e konsiderojnë vetën patriotë.

Këtë reagim Kurti e ka bërë në ‘Facebook’, duke thënë se secili qytetar në Kosovë e njeh së paku një familje ku ushtrohet dhunë, shkruan lajmi.net.

“Duhet të heqim dorë nga paragjykimi patriarkal “nderi burrëror – gruaja shërbëtore”. Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vjen nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan”, ka deklaruar ai.

“Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj. Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, vijon kryeministri në ‘Facebook’.

“Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur. Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private”. /Lajmi.net/