Sërish bisedohet për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isam Mustafa, Kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci dhe zyrtarë tjerë të shtetit janë mbledhur në zyrën e shefes së shtetit për të biseduar hapat e mëtejmë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lajme

13/03/2015 12:39

Në këtë takim sipas një njoftimi të Presidencës, Jahjaga ka vlerësuar se me intensifikimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, do të hapet rrugë për zhvillim ekonomik.

Ky është njoftimi nga Zyra e Presidentes për takimin.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sot Kryeministrin e Kosovës z. Isa Mustafa, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor z. Enver Peci, u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit z. Sylë Hoxha dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni, për të diskutuar për hapat e organeve të rendit dhe të ligjit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Presidentja Jahjaga theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të intensifikohet dhe të adresohet me urgjencë për t’i hapur Kosovës perspektivën ekonomike dhe përparimin e saj në përmbushjen e reformave për liberalizim të vizave dhe integrim evropian.

Takimi i sotëm është pjesë e rekomandimeve të dala nga Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit për intensifikim të zbatimit të ligjit në këto fusha.