“S’erdhi dita” për Agim Bahtirin, a po e injoron edhe VV-ja për Urën dhe bashkimin e Mitrovicës

Jugu e Veriu i Mitrovicës po vazhdojnë të jenë të ndara nga Ura e Ibrit.

Lajme

18/10/2019 22:20

Kjo urë që shpesh herë ishtë qendër e trazirave etnike mes shqiptarëve dhe serbëve, po vazhdon të jetë e mbyllur, shkruan lajmi.net.

Pavarësisht fjalëve të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri për hapjen e urës mbi Ibër dhe tentativave në letër të tij, kjo nuk ka ndodhur deri tash.

Hiç më larg se vitin e kaluar, kur në pushtet ishin partitë e koalicionit PAN, pjesë e të cilave ishte edhe Bahtiri, ky i fundit lëshonte disa deklarata kundërthënëse për këtë çështje, teksa thoshte se hapja e urës do bëhet nga këngëtarë me famë botërore.

Madje kishte një ide, që emri urës t’i lihej sipas këngëtares me famë botërore, “Shakira”.

Deklarata të tilla nuk do të merreshin seriozisht as nga ish-kryeministri Haradinaj e as nga partitë e tjera në pushtet.

Ndonëse Bahtiri u anëtarësua në subjektin që fitoi zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje, ai mund të mbesë sërish pa përkrahje.

Lajmi.net e ka pyetur Bahtirin se a e ka përkrahjen e partisë së tij për hapjen e urës dhe bashkimin e qytetit, mirëpo i njëjti është arsyetuar se është jashtë vendit dhe se nuk mund të flasë.

“Jam jashtë shtetit, nuk mund të flas për këtë çështje”, ka thënë Bahtiri.

Në Vetëvendosje, pavarësisht insistimit të lajmi.net për të marrë një përgjigje, nuk kanë folur në pyetjen se a do t’ia japin përkrahjen Bahtirit në qëllimet e shumëpërmendura të tij.

Bahtiri në fillim të këtij viti, do të dorëzonte peticionin në Kuvend për bashkimin e Mitrovicës.

Këto veprime të Bahtirit, ishin parë si të jashtëligjshme nga njohës të çështjeve politike e juridike në Kosovë.

Lexo po ashtu:

Iniciativa e Agim Bahtirit për ‘bashkimin’ e Mitrovicës, joligjore

Sidoqoftë, as ky peticion s’ishte marrë seriozisht nga Kuvendi i Kosovës.

Partia e Bahtirit, Vetëvendosje u rendit subjekt i dytë në Mitrovicë pas Partisë Demokratike të Kosovës.

Nga ana tjetër, Bahtiri është përmendur shumë për skandalet e tij gjatë dy mandateve qeverisje në komunën e Mitrovicës. /Lajmi.net/

Skandalet e njëpasnjëshme të Agim Bahtirit, njeriut që la AKR-në për Albin Kurtin