Serbisë nuk i prish punë dorëheqja e Pantic’it

Refuzimi i Krstimir Pantic’it për tu betuar në pozitën e Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, nuk i vë në hije qëllimet e Serbisë. Marko Djuric thotë se Beogradi zyrtar nuk do të heqë dorë nga krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

Lajme

18/01/2014 13:43

Marko Djuric, Këshilltari i Presidentit të Serbisë, thotë se pengesat për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë kanë qenë të pritshme.

Në një intervistë për RTS, Djuric thotë se pengesat që janë krijuar edhe nga faktorë të ndryshëm politikë nga pala serbe.

“Qëllimi i politikës serbe ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar. Ne kemi llogaritur se do të ketë pengesa në rrugën e ndërtimit të Bashkësisë së Komunave Serbe. Nga ne kërkohet që t’i kalojmë këto pengesa, të cila sipas mendimit tim janë të panevojshme dhe pjesërisht të shkaktuara nga mungesa e të kuptuarit nga faktorë të ndryshëm nga ana jonë”.

“Qëllimi ynë është që t’u ndihmojmë banorëve në Mitrovicën e Veriut, e cila është e vetmja hapësirë urbane ku serbët përbëjnë shumicën”.

Këshilltar i Presidentit të Serbisë vlerëson se dorëheqja e Krstimir Pantic’it nga pozita e zëvendësdrejtorit të të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë dhe Metohi” dhe refuzimi për të dhënë betimin për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut nuk do ta lë në hije formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Dorëheqja nuk i ka ndihmuar përpjekjeve tona, por do të ishte e tepërt të thuhet se një akt privat do të mund të vë hije në këto përpjekje”.

Raundi i radhës të dialogut në mes të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, që pritet të mbahet më 27 janar, sipas Djuric, do të shërbejë për negociatat lidhur me sundimin e ligjit, por nuk përjashtohen edhe formimi i kësaj bashkësie komunash.

“Dëshira jonë është që të bisedojmë me kohë me përfaqësuesit e Prishtinës, pasi që ne nuk jemi mjaftuar vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Populli ynë duhet të ketë përfshirje në të gjitha proceset politike në Kosovë”, tha Marko Djuric.