Serbia vëzhgon miqësoren e Kosovës

Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ishte e pafuqishme të parandalojë vendimin e FIFA’s për t’i lejuar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, ka pranuar sekretari i përgjithshëm, Zoran Lakoviç. Dhe, skuadra e selektorit Albert Bunjaki tashmë ka zyrtarizuar takimin e parë me Haitin, më 5 mars. “Vendimi i FIFA’s është i njëanshëm dhe nuk…

Sport

14/02/2014 11:50

Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ishte e pafuqishme të parandalojë vendimin e FIFA’s për t’i lejuar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, ka pranuar sekretari i përgjithshëm, Zoran Lakoviç.

Dhe, skuadra e selektorit Albert Bunjaki tashmë ka zyrtarizuar takimin e parë me Haitin, më 5 mars.

“Vendimi i FIFA’s është i njëanshëm dhe nuk ishim në gjendje të ndikonim në të. Në përputhshmëri me qeverinë tonë kemi pranuar që ata të luajnë ndeshje miqësore, por pa të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, shfaqjen e flamurit dhe intonimin e himnit”, deklaroi Lakoviç gjatë një interviste për të përditshmen serbe, Novosti.

Ai po ashtu dyshon se Kosova do t’i respektojë modalitetet.

“E jona është të presim dhe të shohim se çka do të ndodh në atë ndeshje. Kemi dëshirë të madhe të shohim nëse FIFA do të anuloj vendimin e saj dhe do të shohim nëse Kosova do të respektojë marrëveshjen që mos të intonojë himnin dhe mos të shfaq simbole. Dyshoj. Por, të presim këtë 5 mars”, u shpreh Lakoviç i cili dyshon se në prapavijë qëndron një vendim politik.

“Bëhet fjalë për promovimin e një shteti të panjohur, përveç kësaj, nuk është anëtar i FIFA’s. Për më tepër, kjo vërehet edhe nga spekulimet që qarkullojnë se ku do të zhvillohet ndeshja, në Prishtinë ose Mitrovicë”.

“Mirëpo, ne nuk do të merremi me këtë, le të bëhet ashtu siç duhet të jetë, por e përsëris se do të përcjellim nëse ndeshja do të zhvillohet ashtu siç ka kërkuar FIFA”, përfundoi ai.