Serbia vazhdon të mos u përgjigjet pensionistëve kosovarë

Mjetet e fondit pensional që dikur Serbia i grabiti kur u tërhoq nga Kosova vazhdon të mbetet sfidë e pazgjidhur. 

Lajme

02/11/2014 16:55

Zarfet me dokumentacionin e nevojshëm që Serbia i ka kërkuar nga pensionistët kosovarë, kanë mbetur në sirtarët e Fondit Pensional të Serbisë.

Pensionistët e Kosovës janë munduar shumë në mënyrë individuale që t’i kthejnë ato mjete, mirëpo deri më tani një gjë e tillë nuk ka sjellë rezultat, raporton KosovaPress.

Bali Sopi, pensionist i cili ka aplikuar dy here për kthimin e pensioneve nga Serbia, mirëpo sikurse shumë të tjerëve edhe ky i fundit, nuk ka marrë përgjigje pozitive.

Sopi ka treguar se në pension ka dalë që nga viti 1986, duke treguar se ka pasur prej 36 vjet stazh pune. Ndër të tjerash, Sopi ka treguar se pensionistët kanë paguar një person i cili ia ka dorëzuar dokumentet në Serbi.

 “Kam paguar, është kanë njëri që shkonte, vinte. ….. merret me qatë punë, shkonte në Beograd dhe kthehej, është pyetja që shumë e njerëzve na ka marrë pare kapak….ka 70 e 100 qysh ka mundur”, ka thënë ai.

Ndërkaq, për kthimin e pensioneve nga Serbia e kanë ngritur zërin edhe përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës. Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ka treguar se Fondacioni i Serbisë, që nga vitit 1991 e ka marrë fondin pensional të Kosovës dhe ky fond është marrë me dhunë nga Kosova.

Ky fond u takon pensionistëve të Kosovës dhe se vlera e këtij fondi është shumë e madhe, ka treguar Kajtazi. Sipas tij, rreth 1 miliard euro, Serbia është duke u mbajtur për vetë, e këto janë të pensionistëve të Kosovës, të cilët e derdhën djersën e tyre për t’i marrë një ditë këto mjete.

 “Ne kemi bërë përpjekje që këto pensione të kthehen nga Serbia. Ka me mijëra ankesa që janë bërë në gjykatat e Serbisë, po prej tyre asnjë lëndë deri më tani nuk është zgjidhë. Ata duke ditur që i pret Gjykata në Strasburg kërkojnë plotësimin e lëndëve për me bërë të mundur zvarritjen, procedurat, që mos me dalë lëndët të pa mbaruar nga shteti i tyre. Kështu që pensionistët e Kosovës janë në një pozitë mjaftë të pakënaqur të pavolitshme, për shkak se as nuk munden me i realizuar pensionet me Serbinë se Serbia nuk i kthen ato pensione por edhe nuk kanë mbërri kushtin që t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka treguar se këta të fundit iu kanë drejtuar edhe Gjykatës së Strasburgut, mirëpo për shkak të ligjeve ndërkombëtare që thuhen se pa u shterë të drejtat në vendin ku ka ankesë, nuk ke të drejtë me u drejtuar tek gjykatat ndërkombëtare.

Ndër të tjerash, Kajtazi, ka treguar se gjatë kohëve të fundit, shteti i Serbisë, e ka shpallur një njoftim dhe u ka bërë thirrje pensionisteve të Kosovës, kontribut pagues që t’i drejtohen Fondit Pensional të Serbisë për kthimin e mjeteve të tyre, mirëpo nuk po i kthejnë.

 “Deri më tash sipas të dhënave që ne i kem, nëpërmjet mjeteve të informimit se ne nuk kontaktojmë me ta,atëherë kanë shqyrtuar rreth 4 mijë lëndë, por prej tyre janë zgjedh sipas të dhënave që i kemi ne, 73 lëndë të cilët janë pranuar por asnjë prej tyre nuk është realizuar. Ata e arsyetojnë vetën se nuk ka qenë adresa e saktë, mungojnë mundësitë për me realizuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, Serbia si anëtare e Evropës është dashur që në çdo pikëpamje ta zbatojë konventën evropiane për mbrojtjen dhe të drejtën e njeriut, duke shtuar më tej se Serbia është duke i shkelur të drejtat e njerëzve tanë.

Ndërkaq, Shaip Vitija, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prishtinë, ka thënë se KosovaPress ka kohë që Serbia ka dalë me njëkumtesë se do t’i paguaj pensionet e mbetura të pensionistëve prej vitit 90.

 “Deri sot nuk është bërë asgjë edhe pse pensionerët kontribut pagues i kanë marrë e i kanë nxjerrë dokumentet të cilat i ka kërkuar në atë dokument. Gjë që për penisonerët ka qenë e shtirë me gjetë asi dokumente. Kanë kërkuar letërnjoftimin e Serbisë, kanë kërkuar certifikatën e lindjes, kanë kërkuar plot dokumente. Edhe ato dokumente të gjitha është dashur me shkuar e me i nxjerrë nëpër komunat ilegale të Serbisë”, ka thënë ai.

Vitija më tej ka treguar se deri më sot askush nuk i ka marrë mjetet që u takojnë e që të tillë janë mbi 12 mijë, deri sa ka treguar se për çdo ditë në zyrën e tij, shkojnë pensionistë dhe pyesin se çfarë është duke u bërë me kthimin e mjeteve të tyre.

Nga ana tjetër, KosovaPress, ka kërkuar një përgjigje prej Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në lidhje me kthimin e pensioneve të Serbisë, mirëpo këta të fundit, me javë të tëra nuk kanë kthyer përgjigje, raporton KosovaPress.