Serbia vazhdon me shkelje, merr vendim për emërime të reja të strukturave paralele në Kosovë (Dokument)

Të mërkurën në një raport të publikuar nga ministrja për Dialog Edita Tahiri, e cila njëherësh është kryenegociatore e bisedimeve teknike, është thënë se procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel vazhdon të përballet me sfida dhe paradokse që pengojnë zbatimit efektiv dhe të plotë të marrëveshjeve.

Lajme

08/10/2015 10:57

Kjo qasje e dëmshme e Serbisë ka çuar në një situatë paradoksale ku të dy strukturat, si ajo legale, ashtu edhe ajo ilegale komunale, veprojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe më gjerë. Me këto veprime, Serbia mëton të paraqes veten para BE-së si palë që po respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa në terren ajo ende vazhdon ndërhyrjet në Kosovë.

Ministrja Edita Tahiri, ka thënë sot ekskluzivisht për KosovaPress se Serbia nga njëra anë punon për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa nga ana tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj ilegale paralele në Kosovë, këto shkelje janë duke u bërë në vazhdimësi, madje ajo ka përmendur faktin që edhe dje Qeveria e Serbisë ka nxjerrë vendim për emërime të reja të strukturave paralele në komunën e Leposaviqit (vendim të cilin KosovaPress po e publikon më poshtë).

Sipas Tahirit, kjo e dëshmon edhe një herë sjelljen destruktive të Serbisë në këtë aspekt. Ministrja me këtë rast ka ritheksuar se krijimi i asociacionit nuk mund të ndodh para se Serbia të largoj plotësisht strukturat e saj ilegale në Kosovë.

“BE-ja i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, prandaj Grupi Punues trepalësh do të mblidhet në Bruksel për të zgjidhur këtë çështje. Puna rreth h artimit të statutit të asociacionit dhe asaj për largimin e strukturave paralele do të zhvillohet paralelisht”, tha Tahiri.

KosovaPress sjell më poshtë vendimin që ka marrë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, per shkarkime dhe emërime te strukturave paralele ne Leposaviq, në të cilin thuhet se qeveria e Serbisë miraton Vendim për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të organit të përkohshëm të komunës së Leposaviqit. Çka edhe bie ndesh me marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi i plotë është si më poshtë:

Vendimi i Qeverisë së Serbisë i nënshkruar nga Aleksandar Vuçiq, me numër 5265, thotë:

Në bazë të nenit 86, paragrafi 6 të Ligjit për vetëqeverisje lokale (“Gazeta Zyrtare” 129/07 dhe Ligji nr. 83/14.), …merr vendim për shpërbërjen e Kuvendit Komunal të Leposaviqit dhe organit të përkohshëm të komunës Leposaviq (“Gazeta Zyrtare e RS” nr 80/13).

Qeveria miraton Vendim për shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të organit të përkohshëm të komunës së Leposaviqit;

Shkarkohet nga Organi i Përkohshëm i Leposaviqit:

Pika 1 e vendimit 1. Dragan Jabllanoviq, kryetar, me kërkesë të tij, 2. Zoran Todiq, anëtar, 3. Marko Kuzmanoviq, anëtar.

Pika 2 e vendimit Në Organin e Përkohshëm emërohen: 1) për Kryetar: – Zoran Todiq;

Dhe për anëtarë: 2) anëtarë: (1) Stevan Petronijeviq, (2) Prvoslav Antonijeviq.

Pika 3 e vendimit Ky vendim botohet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Serbisë”. numër 24 119-10241 / 2015-1 Në Beograd, më 6 tetor 2015, Qeveria, Kryetari i Qeverisë, Aleksandar Vuçiq.

faqja-1_5601