Serbia ua refuzon vizitën në Luginë katër ministrave të Kurtit

Katër ministrave të qeverisë Kurti u është refuzuar vizita për në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë nga autoritetet serbe.

Lajme

27/11/2021 10:00

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, shkruan lajmi.net,.

Ai ka thënë se vizita planifikohej të realizohej qysh nga sot, teksa e njëjta u refuzua pa asnjë arsyetim nga pala serbe.

Postimi i plotë i Liburn Aliut:

Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes.

Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tonë.

Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin.

Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike.

Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. /Lajmi.net/