Serbia thotë se s’do ta njohë kurrë Kosovën

Qeveria e Serbisë ka komentuar 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se kurrë nuk do të ketë njohje nga Serbia. Sipas Zyrës për Kosovën në Qeveri të Serbisë, pavarësia e Kosovës është e paligjshme.

Lajme

17/02/2014 17:30

Zyra për Kosovë në Qeveri të Serbisë ka lëshuar një komunikatë për 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku thotë se Serbia asnjëherë nuk do ta njoh këtë shtet.

Në këtë deklaratë thuhet se çdo qeverisje në Beograd që do të jetë si në të tashmen dhe në të ardhmen, asnjëherë nuk do ta njohë, siç shkruan, pavarësinë e krahinës së vet.

“Para gjashtë viteve, më 17 shkurt të vitit 2008, për herë të parë në qendër të Europës moderne të shekullit 21, pa pëlqimin e KS të OKB’së, është shpallur e ashtuquajtura pavarësia e shtetit të pavarur të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj zyre.

“E ndërtuar mbi mungesën e të drejtave të serbëve, mbi vrasjet me motiv etnik, ku vrasësit sot ende nuk kanë emër dhe mbiemër, me përdhosje të monumenteve fetare dhe historike të serbëve…ky territor asnjëherë nuk do të jetë shtet”.