Serbia të mos përzihet në Kosovë

Ministri Enver Hoxhaj i ka bërë apel Serbisë që të mos përzihet në çështje të brendshme të Kosovës. Ai gjithashtu ka ftuar serbët të marrin pjesën në rivotimin e së dielës në Veri të Mitrovicës.

Lajme

16/11/2013 14:05

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia duhet të tërhiqet nga Kosova dhe se nuk guxon që në të ardhmen të përzihet më në Kosovë.

A në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, është shprehur i bindur se serbët përmes pjesëmarrjes së rivotimin e së dielës, do të shfrytëzojnë rastin për të jetuar në një Kosovë multietnike.

“Beogradi duhet ta pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Zgjidhja mund të jetë vetëm kjo: Serbia duhet të tërhiqet nga Kosova dhe nuk guxon të përzihet më”.

Hoxhaj ka thënë se zgjedhjet në Veri, janë një rast historik për serbët që jetojnë në këtë pjesë.

“Për këtë arsye, ato janë zgjedhje historike, pasi që serbët e Veriut, do të kenë mundësi që për herë të parë të integrohen në institucionet e Kosovës. Zgjedhjet, gjithashtu do të jenë mundësi për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Enver Hoxhaj.