Serbia refuzon Kosovën

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS,) Ivan Curkovic i është përgjigjur ftesës së kreut të FFK’së, Fadil Vokrri i cili deklaroi se është i gatshëm të luajë kundër Serbisë, përderisa lejon FIFA. Shtëpia e futbollit botëror i lejoi Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare në përjashtim të ballafaqimeve me shtete nga ish-Jugosllavia. Mirëpo,…

Sport

18/01/2014 12:50

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS,) Ivan Curkovic i është përgjigjur ftesës së kreut të FFK’së, Fadil Vokrri i cili deklaroi se është i gatshëm të luajë kundër Serbisë, përderisa lejon FIFA.

Shtëpia e futbollit botëror i lejoi Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare në përjashtim të ballafaqimeve me shtete nga ish-Jugosllavia.

Mirëpo, Vokrri i bëri thirrje Serbisë që të zhvillojnë një takim, nëse marrin leje të veçantë nga FIFA. Dhe, Curkovic i është përgjigjur dëshirës së Vokrrit.

“Nuk mendoj se Vokrri bëri një provokim, ajo është dëshira e tij. Secili ka të drejtë të dëshiron çka të dojë, njësoj sikurse ju, ose unë, por nga këndvështrimi ynë, dëshira për ndeshje miqësore Serbi-Kosovë nuk do t’i plotësohet”, deklaroi Curkovic për portalin Alo.rs.

Curkovic, përveç rolit në FSS është edhe nënkryetar i Partizanit, ku Vokrri kaloi një periudhë të karrierës së tij si futbollist. Ai beson se kreu i FFK’së nuk mendon keq për futbollin serb.

“Për aq sa e njoh unë, ai nuk mendon keq për futbollin serb, por e kotë është të flasim për dëshirën e tij pa direktiva nga Brukseli ose Nyoni. Të gjithë e kanë të qartë se ne duhet të dëgjojmë vendimet e Qeverisë tonë nga selia e Kombeve të Bashkuara në Bruksel, dhe të veprojmë sipas tyre, por besoj se një situatë e tillë ekziston edhe tek ata”.

“Pas kësaj, është e qartë se FIFA vendos për gjithçka, e rregullat janë të qarta, ata nuk mund të zhvillojnë gara derisa të pranohen nga Kombet e Bashkuara. Nëse do të flisnim hipotetikisht, nuk mendoj se në të ardhmen e afërt mund të zhvillohet një ndeshje miqësore mes Kosovës dhe Serbisë, kurse nëse i pranon OKB’ja, kjo mund të ndodh në kuadër të ndonjë cikli kualifikues”, u shpreh ai.

Kurse, ish reprezentuesi serb Ivica Dragutinovic ka thënë se nuk duhet t’u kushtohet rëndësi deklaratave të Vokrrit.

“FIFA u ka thënë qartë atyre dhe neve se çka lejohet e çka jo. Atë që mundohet ta bëjë ai është të provokoj, nuk do të ketë sukses. Ai qartë me çdo kusht kërkon vëmendje mediale për idetë e tij, kurse ne, nëse jemi më të mënçur, nuk do t’i lejojmë as të marrë përgjigje”, deklaroi Dragutinovic.