Serbia prezanton prova të reja: Rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyqi drejtë zbardhjes

Është arritur progres i madh në hetimin rreth vrasjes së vëllezërve Bytyqi, “dhe tani kemi disa prova të reja”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Nebojsha Stefanoviq. Ai ka shtuar se pret që rasti shumë shpejt të zgjidhet.

Lajme

02/06/2015 13:15

Stefanoviq deklaroi se provat e reja tregojnë se ka pasur më shumë njerëz në vendin ku është kryer krimi dhe se provat kanë ardhur nga baza e të dhënave të telefonisë mobile dhe lista telefonike.

“Ne kemi disa prova të reja që vijnë nga bazat e telefonisë mobile. Dhe lista tregon se ka pasur disa persona të tjerë në vendin ku është kryer krimi, dhe fakti që analiza e të gjitha armëve që janë përdorur në vitin 1999 nga disa nga të dyshuarit nuk është bërë, dhe se ka pasur një plumb në trup. Dhe tani i kemi ato armë dhe është duke u kryer ekspertiza”, ka shtuar Stefanoviq.

Nebojsha Stefanoviq
Nebojsha Stefanoviq

Vëllai i të vrarëve, Fatos Bytyqi ka deklaruar për mediet serbe se i kishte dorëzuar provat për përgjegjësit e krimit tek Prokuroria për Krime të Luftës dhe te kryeministri Aleksandar Vuçiq, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i parë, transmeton lajmi.net.

“I kam dorëzuar provat se Goran Radosavleviq Guri ka urdhëruar ekzekutimin. Një dëshmitar ishte me Gurin, kur ai bisedoi me dikë në telefon dhe dëgjoi kur ai urdhëroi njerëzit e tij në Petrovo Sello të likuidoi vëllezërit e mi… Ky dëshmitar tani jeton në një vend evropian. Ka edhe dëshmitarë tjerë, por ata janë të frikësuar për sigurinë e tyre dhe nuk duan të flasin”, ka shtuar Bytyqi.

Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë nga fshati Semetisht i Suharekës, ishin anëtarë të Brigadës Atlantiku të UÇK-së, të cilët kishin lënë Shtetet e Bashkaura të Amerikës për të luftuar kundër Serbisë në Kosovë.

Ata ishin arrestuar pas përfundimit të luftës, në kufirin administrativ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ishin dërguar në burgun e Prokuples, ku më pas ishin transferuar në bazë të njësisë speciale të policisë në Petrovo Sello, ku edhe janë vrarë.

Kongresi amerikan së fundmi miratoi një rezolutë, që i bën thirrje qeverisë së Serbisë dhe Prokurorisë për Krime të Luftës të zgjedhin këtë çështje dhe të dënoi të gjitha ata që janë përgjegjës për këto vrasje. (lajmi.net)