Serbia pretendon anëtarësimin në BE më 2020, a do të përfitojë nga kjo edhe Kosova

Ministrja serbe e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlloviq ka thënë se Serbia ka marrë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, dhe më 2020 pretendohet që të bëhet anëtare e unionit të shteteve evropiane.

Lajme

21/12/2015 10:46

Anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është thënë që duhet të bëhet njëkohësisht me Kosovën, dhe asnjëra të mos bëhet anëtare para tjetrës, transmeton lajmi.net.

Kjo për shkakun se ato mund të bëhen pengesë për anëtarësimin e njëra tjetrës, kur dihet se për anëtarësim të një vendi në BE duhet të merret konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.

Kosova është shumë mbrapa Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Por, në këtë rast lind pyetja se Serbia e cila çdo herë ka qenë pengesë, a mund të ndodhë që kësaj radhe t’i përshpejtojë Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.

Gjithashtu, Serbia tani është e vetëdijshme se nuk mund të anëtarësohet në BE, pa i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

“Kemi hapur kapitullin. Nuk ka qenë e lehtë. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe bisedimet kanë qenë të vështira, do të vazhdojnë të jenë të tilla por, qeveria ka pasur një plan për t’i zhvilluar ato”, ka thënë Mihajlloviq.

“Besoj se deri në vitin 2019 do të mund t’i përmbyllim kapitujt. Gjithçka tash varet nga ne. Nëse do të punojnë të gjitha ministritë si duhet, nëse do të përpiqemi mjaftueshëm dhe jo vetëm zyret për integrim dhe ministria për integrim, por të gjithë ne”, ka thënë tutje ajo.

Ajo më tutje ka thënë se askush nuk po e kushtëzon Serbinë që të pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Askush nuk kërkon nga Serbia njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe normalizimi i raporteve nuk do të thotë njohje e pavarësisë”, ka thënë Mihajlloviq.

“Ajo që ne kërkojmë është përpjekja që qytetarët tanë në Kosovë të jetojnë një jetë të dinjitetshme dhe të mirë. Kjo është normalizim i raporteve me Kosovën. Situata aktuale në Kosovë po tregon se nuk kemi një normalizim të situatës”, ka thënë ajo.

Ajo ka nënvizuar edhe njëherë se normalizimi i raporteve nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Të gjithë mendojnë se normalizimi i raporteve dhe vetë integrimi i Serbisë në BE nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo nuk gjendet në asnjë dokument, e as BE-ja nuk e kërkon atë gjë nga Serbia”, ka thënë Mihajlloviq. /lajmi.net