Serbia nuk i kthen të gjitha mbetjet mortore nesër

Ndonëse në pranim-dorëzimin e 16 mbetjeve mortore të bërë në muajin gusht është thënë se në fillim të këtij muaji do të kthehen edhe 24 të tjera, një gjë e tillë nuk do ndodhë. Të premten pritet të kthehen vetëm 22 mbetje mortore, derisa për 2 mbetje të tjera akoma nuk dihet.

Lajme

11/09/2014 15:19

Të premten në mesditë do kthehen në Kosovë mbetjet mortore të 22 trupave të vrarë gjatë luftës në Kosovës. Edhe pse ishte paralajmëruar se në fillim të këtij muaji, do të kthehen edhe 24 të tjera, tashmë vetëm 22 janë të sigurta, derisa për 2 mbetje të tjera akoma nuk dihet. Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Prenk Gjetaj, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.

“Tani për tani 22 mbetje mortore do të kthehen, janë diskutabile edhe dy, do të vijnë edhe shumë pjesë kockore për ribashkimin e mbetjeve mortore të riatdhesuara në gusht. Në ora 13:00 fillon procedura e pranimit, po mendoj pjesa zyrtare, ndërsa homazhet behën prej orës 15:00”, ka thënë Gjetaj.

Me 22 gusht të këtij viti, Serbia i ka dorëzuar EULEX-it 16 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë e të cilat janë gjetur në Rudnicë të Rashkës. (Kosovapress)