Serbia ndërpret pagat për MUP’in në Kosovë

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim, që të punësuarve në Ministrinë e Brendshme (MUP), e të cilët jetojnë në Kosovë, t’u ndërprehet marrëdhënia e punës nga 31 dhjetori. Tash fillon integrimi i tyre në Policinë e Kosovës.

Lajme

09/12/2013 21:07

Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë sot edhe një hap të rëndësishëm në drejtim të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit të arritur në Bruksel ndërmjet Kryeminisrtave Hashim Thaci e Iviça Dacic, me të cilën synohet normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim, që të punësuarve në Ministrinë e Brendshme, siç njihet shkurt MUP, e të cilët jetojnë në Kosovë, t’u ndërprehet marrëdhënia e punës nga 31 dhjetori i këtij viti.

Qeveria e Serbisë ka urdhëruar MUP’it që, me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, të rregullohet statusi i të punësuarve të MUP’it që jetojnë në Kosovë.

“Të punësuarve në MUP’in e Serbisë, që jetojnë në Kosovë, më 31 dhjetor 2013, u ndërprehet marrëdhënia e punës dhe atyre do t’u sigurohet e drejta në pension në lartësi 60 % të rrogës së tyre mestare të realizuar gjatë këtij viti”, thuhet në konkluzionet e Qeverisë së Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka thënë se Kosova gjendet në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë për “Zerin e Amerikës” se në takimin e fundit me Kryeministrin Dacic të jenë dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës”.

Duke folur për shqetësimin e ngritura se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale, Thaçi ka siguruar se testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës.

“Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale”.

“Këtë e verifikon Policia e Kosovës, EULEX’i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”.