Serbia me avazin e njëjtë, kërkohet dëbimi i ambasadorit gjerman që përkrahu dje bombardimet e NATO-s

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Scheib gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se bombardimi i Jugosllavisë nga NATO ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin dhe katastrofën që po ndodhte.

Lajme

08/04/2021 16:17

Ky deklarim i Scheib ka ngjallur reagime të ashpra në Serbi, shkruan lajmi.net.

Ministri i Drejtësisë në Serbi, Vladimir Leposaviq ka thënë se Schieb duhet të kërkojë falje për deklaratën e tij, por në anën tjetër disa lëvizje politike atje kanë kërkuar edhe dëbimin e ambasadorit gjerman nga Serbia.

“Është një hap larg dëbimi i  z.Ambasador, vendi i të cilit ka marrë pjesë aktivisht në krijimin e kaosit në Ballkan, tre herë gjatë shekullit të kaluar”, ka shkruar Sasha Raduloviq udhëheqës i lëvizjes “Mjaft është mjaft”.

Ai tutje ka pyetur edhe pse Qeveria e Serbisë po hesht ndaj një deklarate të tillë të diplomatit gjerman.

“ A është shefi Qeveria jonë, apo shefi i shtetit tonë është ky zotëria?”, ka shkruar tutje Raduloviq.

Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se bombardimi i Jugosllavisë në vitin 1999 ishte një çështje diskutabile, megjithatë thotë se reagimi ishte i nevojshëm për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe gjenocidin në Kosovë.

“Unë jam në dijeni që ishte një çështje diskutabile dhe që s’kishte vendim të Këshillit të Sigurimit (për të nis ndonjë veprim ushtarak), por disa vendime duhet marrë, qëllimi ishte shmangia e një katastrofe humanitare, shmangia e gjenocidit”, ka thënë Schieb për Radio Televizionin e Vojvodinës. /Lajmi.net/