Serbia kërkon që në Bruksel të diskutohet edhe për investimet e telekomit serb në Kosovë

Ministri serb i Tregtisë dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq, ka thënë se çështja e Postës dhe Telekomit duhet të trajtohet si temë e veçantë në bisedimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Lajme

16/01/2015 16:25

Lajiq ka thënë për mediat serbe se kjo çështje është mjaft komplekse, dhe si e tillë, kërkon një trajtim të veçantë, pasi që sipas tij, edhe Serbia ka bërë investime të konsiderueshme në këtë fushë në Kosovë.

“Kjo do të jetë një temë e veçantë në bisedime, pasi që është e padiskutueshme që telekomi serb ka një infrastrukturë të konsiderueshme në Kosovë për të cilën ka bërë një investim të madh financiar. Për këtë arsye, ne kërkojmë që gjatë bisedimeve në Bruksel të hapet kjo temë për të gjetur një zgjidhje të duhur”, ka thënë Lajiq për Tanjug, transmeton lajmi.net.