Serbia kërkon heqjen e taksës pa kushtëzime

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është takuar me ambasadorin gjerman në Beograd, Thomas Schieb.

Lajme

30/01/2020 15:19

Marko Gjuriq, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të enjten është takuar me ambasadorin e Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb.

Siç raporton “Tanjug”, transmeton lajmi.net, tema e takimit në mes të Gjuriqit dhe ambasadorit Schieb, ka qenë Kosovë, përkatësisht dialogu.

Gjuriq citohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman, Thomas Schieb, se shteti i tij është i interesuar që vazhdojë dialogun me Kosovën, por që sipas tij, kjo bëhet vetëm me kusht që hiqet taksa e vendosur nga autoritetet kosovare.

“Beogradi vazhdimisht është i përkushtuar për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve me Prishtinën, por kushti për vazhdimin e dialogut mbetet heqja e taksës ndaj mallrave të Serbisë në mënyrë të pakushtëzuar”, theksoi Gjuriq në këtë takim me ambasadorin gjerman, Thomas Schieb, transmeton më tutje lajmi.net.

Po ashtu, Gjuriq ka theksuar se, Serbia është e gatshme që të rifillojë dialogu me Kosovën me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pasi që sipas tij, përmes dialogut do të ndërmerren hapa konkret për të siguruar një jetesë më të mirë të banorëve në Kosovë dhe duke e lehtësuar lëvizjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç raportojnë mediet serbe, Gjuriq po ashtu e ka njoftuar ambasadorin gjerman, Thomas Schieb, edhe për gjendjen e popullit serb në Kosovë.

Theksojmë se Kosova dhe Serbia nuk janë ulur në tryezën e bisedimeve që nga nëntori i vitit 2018 kur qeveria kosovare kishte vendosur taksën prej 100 për qind për mallrat me origjinë serbe dhe boshnjake, si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve të Serbisë dhe Bonje e Hercegovinës për fushatën e tyre propaganduese ndaj Kosovës. /Lajmi.net/