Serbia injoron QUINT-in, Gjuriq: Do të vazhdojmë t’i mbrojmë interesat tona

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Serbia nuk do ta ndryshojë politikën e saj karshi Kosovës.

Lajme

13/08/2019 15:30

Serbia do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e saj, ka thënë Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq pas paralajmërimit nga QUINT-i që kërkoi nga Serbia ta ndërprejë lobimin për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gjuriq po ashtu ka thënë se nuk duhet të baraspeshohen ata që sipas tij shkelin marrëveshjen e CEFTA-së me ata që mbrohen nga anëtarësimi i kundërligjshëm i një pjese të territorit të saj në organizata ndërkombëtare.

“Nuk mund të ketë një akt balancimi artificial sepse nuk është njësoj kur dikush mbrohet nga anëtarësimi i kundërligjshëm në organizata ndërkombëtare dhe kur dikush shkel marrëveshjën e CEFTA-s dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare”, deklaroi Gjuriq gjatë një konference për media, transmeton lajmi.net.

“Po, dialogu duhet të vazhdojë pas heqjes së taksës por është e qartë tendenca të krijohet një lloj i baraspeshës, që në mënyrë artificiale të barazohet shkelja e marrëveshjes së CEFTA-s nga Kosova duke vendosur taksë, pengimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave me reagimet e detyrueshme të Serbisë si parandalimi i anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, e nxitur nga sjellja e politikës së jashtme të Kosovës të cilët kishin marrë mbështetje nga shtetet që kanë publikuar raportin e sotëm”, shtoi ai.

Gjuriq ka vazhduar kundërshtimin e tij ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Prishtina nuk ka asnjë të drejtë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”, vazhdoi ai. Shtetet e QUINT-it kanë bërë thirrje sot që Prishtina dhe Beogradi sa më parë t’i kthehen dialogut dhe kanë kërkuar që Kosova ta heq taksën kurse Serbia ta ndalojë fushatën për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Por, Gjuriq ka insistuar se Serbia do ta realizojë politikën e saj të brendshme dhe të jashtme kur është fjala për Kosovën, në përputhje me interesat e saj. Nga ana tjetër, Gjuriq ka thënë se Serbia është e angazhuar edhe në terren në mbrojtjen e interesit të popullit serb në Kosovë, por edhe të tjerëve.

“Përgjigja jonë do të jetë mbështetje shtesë ndaj serbëve, raporti racional mes Beogradit dhe Prishtinës, që të respektohen normat bazë, e drejta ndërkombëtare dhe të mos shkelet diçka që është caktuar para 13 vjetësh”, u shpreh ai.

Gjuriq ka përmendur se vetëm disa orë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se i presin disa javë të vështira në Kosovë, erdhi paralajmërimi nga shtetet e QUINT-it.

“Populli ynë nuk duhet të brengoset, sepse brenga e shtetit nuk do të jetë më e vogël. Rritja e vazhdueshme e ekonomisë serbe dhe insitucioneve serbe do të bëjë që jeta e tyre të jetë më e sigurt, e aktivitetet diplomatike serbe do të vazhdojnë edhe me ata që nuk janë në krahun e njëjtë me ne, edhe me ata që janë. Do të vazhdojmë ta forcojnë pozicionin e Serbisë në mënyrë që mund të themi se kemi rezultate të kënaqshme në Kosovë”, përfundoi Gjuriq. /Lajmi.net/