Serbia i dërgon Kosovës informacione për vrasjen e Ivanoviqit

Ministria e Drejtësisë në Serbi i ka përcjellë Zyrës së EULEX-it në Beograd dokumentet e Prokurorisë së Krimit të Organizuar në lidhje me hetimet e vrasjes së Oliver Ivanoviqit për autoritetet e Prishtinës.

Lajme

14/02/2018 16:32

Dokumentacioni është përcjellë në bazë të dy kërkesave për bashkëpunim ligjor të autoriteteve të Prishtinës lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, ka deklaruar Ministria serbe e Drejtësisë, transmeton lajmi.net.

Këto dokumente përmbajnë informata lidhur me hetimin e vrasjes së Ivanoviqit të cilat i ka mbledhur Zyra e Prokurorisë së Krimit të Organizuar në Beograd në bashkëpunim me autoritetet serbe në mënyrë që të zbulohet kryerësi i kësaj vepre.

Ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviq shpreson se autoritetet në Prishtinë do të tregojnë gatishmëri për një shkëmbim informacionesh dhe bashkëpunim të përditshëm me autoritetet në Beograd.

Ajo theksoi se ndriçimi i këtij rasti është i një rëndësie të madhe për paqen dhe stabilitetin në Kosovë./Lajmi.net/