Serbia e humbi Kosovën shkaku i Srebrenicës

Komuniteti ndërkombëtarë e kishte ndjenjën e fajit për atë që lejoi në Srebrenicë. Shumë besojnë se kërcënimi për një Srebrenicë të re, solli ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, thotë profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, Richard Falk. 

Lajme

27/09/2014 23:21

Kosova , në një kuptim paraqet precedent të rrezikshëm dhe një shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por lidhja mes mbrojtjes nga shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut dhe sovranitetit të shtetit është një nga fushat në të cilat e drejta ndërkombëtare nuk funksionon më së miri, thotë eksperti amerikan Richard Falk, i cili nuk sheh ngjashmëri të konsiderueshme në mes të rasteve të Kosovës dhe Krimesë. 

“Ju gjithmonë mund të thoni se në të dy rastet ka pasur një dëshirë të vendit që të ndahet në të drejtën e tyre për vetëvendosje, por gjendja faktike në këto dy vende është krejt ndryshe”, ka shpjeguar profesori në një intervistë për Tanjug, transmeton lajmi.net.

Kur bëhet fjalë për rastin e Krimesë dhe faktin se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë normale që Kosova të jetë e pavarur, ndërsa jo normale që Krimea të jetë pjesë e Rusisë, edhe pse te kjo e fundit kishte një referendum e në Kosovë jo, Falk vë në dukje se “për pavarësinë e Kosovës nuk kishte asnjë kundërshtim mes atyre që përfaqësonin popullin, dhe nuk ishte i nevojshëm referendumi”. 

Srebrenica, thotë ai, është trajtuar nga komuniteti ndërkombëtar si një krim kundër njerëzimit, dhe qeveria serbe ishte bërë përgjegjëse për këtë, në kohën kur përkonte me 50 vjetorin e NATO-s dhe kërkimin e një lloj roli të aleancës pas Luftës së Ftohtë.

“Ishte një kombinim në kohën kur popullsia shqiptare u përball me rrezikun e spastrimit etnik sikurse në Bosnjë. Perëndimi, e sidomos Shtetet e Bashkuara me këtë rast kanë shfrytëzuar rastin për të demonstruar se NATO është ende relevante”.

Ai thotë se është i vetëdijshëm, se ky intervenim ka çuar në një situatë ku shumë serbë u larguan nga Kosova dhe se të drejtat e tyre nuk respektohen, por ai nuk mendon se kjo mund të cilësohet si spastrim etnik.

“Ishte një ndjenjë e fajit te bashkësinë ndërkombëtare shkaku i Srebrenicës dhe kërcënimi se një Srebrenicë e re do të ndodhë edhe në Kosovës. Kjo bëri të domosdoshme ndërhyrjen. Ishte një situatë e rëndë, sepse u pa shumë qartë se shumica e njerëzve atje donin që Kosova të jetë e pavarur dhe sovrane, dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Bosnje i dhanë mesazh bashkësisë ndërkombëtare, se nuk ka besim që Kosova të lejohet të mbetet pjesë e Serbisë”, ka thënë Falk. (lajmi.net)