Serbia do që “të mbetet” në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsha Stefanovic thotë se institucionet serbe do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë. Ai u ka bërë të ditur serbëve të Veriut se do të luftojë me vendosmëri që dëshmojë se Kosova është Serbi.

Lajme

28/11/2013 12:54

Kryetari i Kuvendit të Serbisë Nebojsa Stefanovic ka thënë të enjten në Mitrovicë se institucionet serbe “nuk do të bëjnë asgjë me çka do të shkelej shtetësia në Kosovë”.

Ai gjatë qëndrimit në Veri të Mitrovicës së bashku me Ministrin serb pa Portofol, të ngarkuar për Kosovë, Aleksandar Vulin, kanë vizituar studentët dhe pjesëtarët tjerë të institucioneve paralele serbe në këtë pjesë.

“Ne në mënyrë të vendosur do të qëndrojmë prapa faktit se Kosova është Serbi dhe kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë të luftojmë me të gjithë partnerët, dhe me ata që e kuptojnë këtë gjë por edhe me ata që kanë nevojë për më shumë sqarime, sepse vetëm me këto lloje të bisedimeve dhe negociatave që mund të arrijmë deri te qëllimi ynë”, ka thënë Stefanovic.

“Serbia do që të krijojë marrëdhënie të mira me të gjithë në rajon, por edhe të mbrojë pozicionin e vet dhe të popullit të saj”.

“Detyra jonë kryesore është që t’i krijojmë popullit tonë kushte më të mira për jetë, të mbrojmë paqen dhe sigurinë e tyre. Kështu që ju keni një rol të madh në këtë aspekt”, ka thënë Stefanovic.