Serbia arreston një kosovar nën akuzën për terrorizëm

Edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës, qytetarët e Kosovës, veçmas ata nga diaspora, vazhdojnë të keqtrajtohen nga organet e sigurisë së Serbisë.

Lajme

27/09/2014 22:14

Kësaj here ishte Naim Kaqandolli ai që duke u kthyer në Francë – ku edhe jeton, u arrestua nga policia e Serbisë nën dyshimin për veprën penale të terrorizmit, tregon miku i tij Nysret Rastelica. Sipas Rastelicës, Naimi vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Nish të Serbisë. 

Për të njëjtën vepër Kaqandolli ishte arrestuar edhe në vitin 1999 për t`u liruar si rrjedhojë e mungesës së provave pas disa ditësh, rrëfen miku i tij. 

Rastelica thotë se që nga paslufta e deri më tani, miku i tij së bashku me familje të paktën 10 herë ka kaluar përmes kufirit Kosovë-Serbi. 

Rastelica thotë se më 1 maj 1999 bashkë me Naim Kaqandollin nën dyshime për veprën penale të terrorizimit u patën arrestuar edhe 6 shqiptarë të Kosovës, për t`u liruar pas pak ditësh. Ai u bën thirrje atyre të kenë kujdes meqë mund ta pësojnë edhe ata nga policia e Serbisë.

Ndërkaq, shpresa e tij e vetme tani është tek instancat shtetërore të Republikës së Kosovës. 

E më të dëgjuar për rastin, ka reaguar Ministria e Diasporës. Udhëheqësi i divizionit për komunikim në këtë ministri, Lorik Pustina, thotë se ministria e Diasporës ka përgjegjësi të kufizuara ligjore sa i përket intervenimit në raste të arrestimit të shtetasve të Kosovës, mirëpo siç tha Pustina, ky dikaster do t””i përdorë të gjitha mekanizmat në dispozicion duke njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, Zyrën e BE-së, Zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, për t`u siguruar se ndaj bashkatdhetarëve tanë do të respektohen të gjitha normat juridike dhe të drejtat e njeriut. `Jemi njoftuar me rastin dhe është e palogjikshme në këtë rast që bashkatdhetari ynë të arrestohet për vepra të cilat janë ngritur padrejtësisht nga regjimi i asaj kohe”, ka thënë Pustina. (RTK)