Serbia alarmon për kërcënimin nga “Brigada Ballkanike” e xhihadistëve
Ekstremistë nga organizata terririste "Shteti Islamik i Irakut e Levantit" (ISIS), që në planin pesëvjeçar kanë gjunjëzimin e Serbisë, kanë rekrutuar në Kosovë e Sanxhak (Serbi) mbi 20 njerëz të cilët janë të gatshëm që në çdo moment të zhvillojnë “luftë të shenjtë”.

Lajme
Kështu shkruan e përditshmja e Beogradit, “Veçernje Novosti”, sipas së cilët ekstremistët planifikojnë të kryejnë sulme terroriste në Ballkan, dhe se për këtë autoritetet serbe janë informuar nga agjentë të huaj.
Këtë vërejtje me listën e të dyshuarve gazeta thotë se autoriteteve serbe ua kanë vënë në dispozicion dy shërbime informative perëndimore.
“Terroristët e ISIS-it janë në kontakt të vazhdueshëm me ithtarët në Serbi, Bosnjë e Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni. Të gjithë ata kanë marrë urdhër të jeni gati për aksion”, citon gazeta një komunikatë zyrtare, raporton Koha.net.
“Kërcënimet me vdekje që xhihadistët nga organizata terroriste Shteti Islamik i Irakut e Levantit (ISIL), që u është dërguar me një letër serbëve në Ambasadën e Serbisë në Damask, me siguri vijnë nga dega që quhet Brigada Ballkanike, në të cilën luftojnë xhihadistë nga Serbia”, citon gazeta Millovan Drecunin, analistin politiko-ushtarak dhe anëtarin e Këshillit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Serbisë.
Drecun thotë se vërejtjet duhet të merren seriozisht, meqë ISIL ka kapacitete që t’i realizojë.
“Kërcënimet sipas disa burimeve vijnë nga dega e ISIL-it, që quhet Brigada Ballkanike, në të cilën luftojnë xhihadistë nga Serbia. Udhëheqësi i kësaj dege është nga Kosova, kurse zëvendësi i tij është nga Serbia qendrore. Janë të njohur për brutalitetin çnjerëzor, rrjepin njerëz të gjallë. Njihen për egërsi, sa edhe xhihadistët çeçenë e kanë parë të udhës të reagojnë dhe të kërkojnë sjellje më pak të egra”, sqaron Drecun.
Analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, sipas kësaj gazete, ka deklaruar se në territorin e Serbisë ekzistojnë “punkte për rekrutim dhe indoktrinim të ekstremistëve islamikë” dhe ky, sipas vlerësimeve të tij, është një hap i vogël deri në veprimin aktiv të tyre.
Ndonëse alarmi i arsyeshëm për rrezikun nga elementë ekstremistë të xhihadit islamik është dhënë edhe në Kosovë dhe hapësirat e tjera shqiptare, ky që vjen nga Serbia kujton kohët e propagandës demonizuese nacionaliste e antishqiptare të këtij vendi në prag e gjatë luftës jo më pak çnjerëzore të Serbisë në Kosovë nga ajo që bëjnë terroristët islamikë në Siri e Irak.