Serbi – Shqipëri, vjen drejtësia?

Pas disa shtyrjesh, më në fund shqiptarët do të mësojnë nëse do të ketë vërtet drejtësi në lidhje me atë që ndodhi në Beograd.

Sport

09/07/2015 15:50

Pritja e gjatë po shkon drejt fundit, vetëm pak ditë na ndajnë nga një vendim i rëndësishëm dhe njëkohësisht historik për Shqipërinë e futbollit.

Këtë të premte, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë pritet të japë verdiktin e saj në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit të kaluar, shkruan “Supersport.al”.

Pas disa shtyrjesh, më në fund shqiptarët do të mësojnë nëse do të ketë vërtet drejtësi në lidhje me atë që ndodhi në Beograd, ku kuqezinjtë u bënë viktimë e dhunës dhe thirrjeve për gjenocid nga ana e tifozëve dhe personelit të sigurisë në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

Në CAS, Shqipëria kërkon drejtësinë që nuk u dha në organet e Uefa-s si dhe tre pikët për ndeshjen me Serbinë që janë vendimtare për shanset e kuqezinjve për një kualifikim të drejtëpërdrejtë në Euro 2016.

Vënia e drejtësisë në vend nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do ti conte kuqezinjtë në vendin e dytë të klasifikimit në Grupin I të eleminatoreve, me 10 pikë, po aq sa Danimarka por me një ndeshje më shumë në dispozicion për të luajtur, duke e kthyer praktikisht Shqipërinë në favoriten për biletën e dytë të kualifikimit të drejtëpërdrejtë në Europianin e Francës.

Vendimi i CAS pritet të vijë pas disa shtyrjesh, fillimisht u komunikua se do të jepej në 29 Maj, pastaj u shty për në 12 qershor dhe më pas u përcaktua si afat i fundit 10 korriku. Me një vendim në favor të së drejtës dhe Shqipërisë, pritja e gjatë vërtet do t’ia ketë vlejtur.