Serbëve u bëhet thirrje të kthehen në Istog
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe deputetët e Listës Srpska, Jelena Bontiq e Sasha Millosavleviq, të mërkurën, në fshatin Zhac të Istogut, vunë gurthemelin për ndërtimin e shtëpisë së një familje me pesë anëtarwve, që është kthyer në Kosovë.

Lajme
Pas hedhjes së gurthemelit, Jevtiq ka thënë se kthimi i kësaj familje është thirrje dhe mesazh për të gjithë të zhvendosurit që të kthehen në Kosovë. Ai u ka premtuar të gjithë të kthyerve se ministria e tij do t’iu ndihmojë me të gjithë kapacitetin që e ka, raporton KosovaPress.
“Tre fëmijë të vegjël në familjen Komatoviq është ajo që jashtëzakonisht na bën të lumtur. Me këta, fshati Zhac momentalisht ka 15 fëmijë, dhe ky është lajm i mirë. Ne duam që me atë lajm dhe në këtë mënyrë edhe një herë të dërgojmë një mesazh për të zhvendosurit, që të kthehen në Kosovë dhe ne do të ndihmojmë që ata të mbijetojnë, sepse ky është qëllimi ynë kryesor”, tha Jevtiq.
Kthimi për familjen Komatoviq nuk është menduar të jetë aq i shpejt. Njëri nga anëtarët e kësaj familje, Sllavisa Komatoviq ka falënderuar ministrin Jevtiq dhe është shprehur i lumtur për mundësinë e kthimit të familjes së tij.
Akomodimi i kësaj familje në shtëpinë e re pritet të bëhet brenda një muaji, atëherë kur edhe parashihet të përfundojnë punimet.