Serbët protestuan në veri pas fjalimit të Ramës në Beograd (Foto)

Konferenca për shtyp e dy kryeministrave, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, ka ngritur tensione dhe protesta në veri të Mitrovicës.

Lajme

10/11/2014 17:10

Një protestë kundër vizitës dhe fjalimit të Ramës është mbajtur në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan.

Siç raporton Koha.net  DSS-ja në veri të Kosovës ka organizuar protestë ku kanë marrë pjesë rreth 20 makina të mbushura me protestues, të cilët kanë bartur flamuj të Serbisë dhe kanë thirrur kundër vizitës së Ramës në Beograd.

Serbët protestues nga Zveçani kanë ardhur tek ura kryesore në Mitrovicë, dhe përreth 20 minuta nuk kanë lejuar qarkullimin e makinave në atë aks rrugor duke tentuar që të provokojnë shqiptarët në jug.

Serbët kanë lëshuar thirrje kundër shqiptarëve dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe pas rreth 20 minutave, janë shpërndarë, transmeton Koha.net.

Mbajtjen e protestës në veri e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë. Sipas policisë, një protestë është mbajtur në veri të Mitrovicës pas orës 15, ku kanë marr pjesë rreth 20 makina ndërsa që protestuesit janë shpërndarë të qetë pas rreth 30 minutave qëndrim tek ura kryesore mbi Lumin Ibër, transmeton Koha.net.