Serbët plaçkitin emigrantë të Kosovës në Suboticë

Policia serbe vazhdon të keqtrajtojë e të plaçkitë shtetas nga Kosova, të cilët i ka ndalë në Suboticë derisa po përpiqeshin për të kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Hungari.

Lajme

09/02/2015 17:15

Si raporton koha.net, një lexues ka treguar se policia serbe i ka plaçkitur 49 emigrantë të Kosovës. Polica, sipas tij, emigrantëve ua ka marrë të gjitha paratë që ua ka gjetur.

“Mua mi kanë marrë 200 euro, ndërsa një familje nga Malisheva ia kanë marrë 3,400 euro”, ka thënë lexuesi.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, polica pastaj të plaçkiturve ua ka dhënë nga një dëshmi për gjoja dënim për kundërvajtje, sipas të cilës ata ishin dënuar me nga 5,000 dinarë serbë (rreth 40 euro) dhe të gjithë ishin urdhëruar që brenda 48 orëve të braktisnin Serbinë. Policia u ka thënë se nëse nuk e zbatojnë këtë urdhër, mund të dënohen deri në tre vjet burg.

Emigrantët nga Kosova, të mbetur pa para midis Suboticës, janë të alarmuar nga ultimatumi i policisë dhe të pashpresë, meqë s’kanë kujt t’i drejtohen që t’i ndihmojë.

“Kemi mbetur pa para dhe nuk mund të lëvizim askund”, është ankuar ky emigrant, i cili tashti pret ndihmën e shtetit.