Serbët përqeshin ekipin e Kosovës
Kosova përgatitet të zhvillojë ndeshjen e parë ndërkombëtare kundër Haitit, të mërkurën. Por, serbët merren me skuadrën dhe insistojnë se ekipi i selektorit Albert Bunjaki nuk ka ndonjë yll në përbërjen e tij. “Fadil Vokrri ka shpresuar që yje si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Adnan Januzaj do të luajnë për ta, mirëpo…

Sport
Kosova përgatitet të zhvillojë ndeshjen e parë ndërkombëtare kundër Haitit, të mërkurën. Por, serbët merren me skuadrën dhe insistojnë se ekipi i selektorit Albert Bunjaki nuk ka ndonjë yll në përbërjen e tij.
“Fadil Vokrri ka shpresuar që yje si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Adnan Januzaj do të luajnë për ta, mirëpo pas ndalesës nga FIFA, sa i përket vendimeve personale, ata nuk do të paraqiten në duelin në Mitrovicë. Bunjaki ishte i detyruar të ftojë futbollistë më pak të njohur në mesin e të cilëve si anëtarë më me përvojë janë portieri Samir Ujkani dhe sulmuesi Albert Bunjaku”, shkruan portali serb Alo.rs që e përmendi faktin se vetëm një futbollist nga Superliga e Kosovës në futboll, është pjesë e ekipit.
“Nderin e futbollit të Kosovës do ta mbrojë Kushtrim Mushica nga Prishtina, që do të jetë portier rezervist. Kurse, Ujkani si futbollisti më i shtrenjtë i ekipit sipas vlerës në treg, kushton 2.2 milionë euro, kurse ajo e Bunjakut rreth 1 milion euro. Në total, vlera e 22 futbollistëve që janë ftuar kundër Haitit është diçka nën 9 milionë euro. Kjo është, të marrim shembull, më pak se sa që vlejnë gjashtë futbollistë serb, që kushtojnë më shumë”, vazhdon Alo.
Si do që të jetë, Kosova është duke u bërë gati për festë dhe shkrime të këtilla mund të priten edhe në ditët në vazhdim nga pala serbe, që bëri çmos për të penguar ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, që sa do pak ka filluar të sheh dritë.