Serbët në veri ende përdorin targat ilegale të automjeteve

Përpjekjet për integrimin e serbëve të veriut po vazhdojnë, por megjithatë ky proces po ka sfida të mëdha.

Lajme

06/04/2015 21:22

Në veri ende përdoren targat me regjistrim të Serbisë, ndonëse ekziston një marrëveshje në Bruksel që ato të zëvendësohen me targa të Republikës së Kosovës, raporoton RTK.

Serbët e katër komunave veriore të Kosovës po vazhdojnë avazin e vjetër duke injoruar ligjet që ka Republika e Kosovës. Që nga paslufta e deri me tani në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, këta të fundit në makinat e tyre ende bartin targa ilegale (KM-Kosovska Mitrovica), ndërsa ka edhe të tilla që janë fare pa targa.

Fillimisht qeveria serbe kishte kërkuar përmes ndërkombetarëve institucionet e Kosovës duhet të presin derisa t’iu skadojë afati i regjistrimit, për të kaluar pastaj në targat e Kosovës, por një gjë e tillë ende nuk po ndodh.

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri në një intervistë për RTK-në tha se me arritjen e marrëveshjes për sigurimin e veturave pret angazhim me të madh nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosoëvs në eliminimin e këtyre targave.

“Është e vertetë që ekziston ky fenomen. MPB-ja ka pas obligim që të largojë nga qarkullimi këto targa dhe ka bërë disa hapa. Unë pres në këtë fazë të ketë angazhime dhe në momentin që të arrihet marrëveshja për sigurimin e automjeteve, do të ndalohen rreptësisht këto targa ilegale”, deklalroi Tahiri.

RTK ka kontaktuar ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni, por ai tha përmes telefonit se për këtë çështje duhet të kontaktohet Policia e Kosovës.

Qarkullimi i targave ilegale serbe në territorin e Kosovës po shihet si dshtim i autoriteteve kosovare në zbatimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Muaji prill i vitit 2014 ka qenë afati i fundit që në pjesën veriore të Kosovës të largohen përfundimisht targat ilegale serbe.