Serbët në Beograd: Me marrëveshjet e Brukselit, Serbia po e çon Kosovën drejt UNESCO-s dhe OKB-së

Lajmi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) të hyjë në agjendën e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s ka shkaktuar bujë dhe mllef të jashtëzakonshëm të qytetarëve serbë ndaj qeverisë në Beograd.

Lajme

12/09/2015 09:39

Një numër rekord i shteteve anëtare të UNESCO-s e ka mbështetur dje kërkesën e Kosovës për pranim në këtë agjenci të rëndësishme të OKB-së.

Me të marrë këtë lajm, komentuesit në Serbi kanë shkruar komente në portale të shumta beogradase të tilla si “BLIC”, “B92”, “Veçernje Novosti” etj, ku kanë hedhur vrerë mbi qeverinë serbe. Disa prej tyre shkruajnë se me marrëveshjet e fundit në Bruksel të arritura në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kjo e fundit ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe thelbësisht në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare. Sipas tyre, anëtarësimi i Kosovës do të jetë vetëm një nga pasojat për shtetin serb pas zhvillimeve të fundit në dialog dhe njëherësh do ta përshpejtojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Në një koment tjetër të serbëve në Beograd thuhet se qeveria serbe fshehurazi mbështet hyrjen e Kosovës në UNESCO, ndërsa disa qytetarë të tjerë serbë thonë se qeveria serbe më mirë është të pranojë haptas humbjen përfundimtare të Kosovës dhe t’u kthehet problemeve të përditshme të banorëve të saj.

Disa prej tyre kanë shkuar aq larg sa që i kanë kërkuar udhëheqësisë serbe që të ndërprejë çfarëdo raporti me Shqipërinë, e cila edhe ishte në mesin e nismëtarëve që e nënshkruan kërkesën e Kosovës që aplikimi i saj për anëtarësim të jetë pjesë e agjendës së Bordik Ekzekutiv të UNESCO-s.

Në ndërkohë, autoritetet në Prishtinë kanë bërë të ditur se Kosova dhe aleatët e saj perëndimorë tashmë i kanë intensifikuar përpjekjet për lobim në shtete të caktuara anëtare të UNESCO-s që beteja e Kosovës e Kosovës të kurorëzohet me anëtarësim pas votimit të Bordit Ekzekutiv në tetor dhe Asamblesë së Përgjithshme në nëntor të këtij viti.