Serbët kujtojnë “pushtimin” e Kosovës nga Ushtria ruse (Video)

Në qershor të vitit 99’ pas ndërprerjes së bombardimeve të NATO-s, dhe marrëveshjes për hyrje të forcave të KFOR-it, të parët në Kosovë hynë forcat ruse, të cilat u pritën me gëzim të madh nga serbët, por gëzim që nuk zgjati shumë. 

Lajme

25/11/2014 13:33

Tani pak ditë pas manovrave të përbashkëta të ushtrive ruse dhe serbe në Serbi, mediat serbe i rikthehen situatës së para 15 viteve, kur forcat ruse “pushtuan” Kosovën.

Ushtria ruse kishte hyrë në Kosovë më 11 qershor të vitit 1999, me forcat e saj të cilat ndodheshin me mision në Bosnje e Hecergovinë.

Rusët u pritën me entuziazëm nga serbët e Kosovës, duke festuar me të shtëna armësh, ndërsa vajzat dhe gratë u dhuronin lule.

Por ky gëzim i serbëve, të cilët kishin kryer krime të rënda ndaj civilëve shqiptarë, nuk zgjati shumë.

Në bazë të marrëveshjes për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme, dhe marrjes nën kontroll të sigurisë në Kosovë, hynë edhe forcat e NATO-s, transmeton lajmi.net, një shkrim të gazetës serbe Telegraf.

Rusët të cilët u pritën nga serbët si çlirimtar në Kosovë, duke pushtuar edhe Aeroportin e Prishtinës, gati sa nuk hapën konflikt me fuqinë më të madhe ushtarake në botë, NATO-n.

Kjo situatë u komentua edhe si moment ku mund të ishte shkëndijë e ndezjes të luftës së tretë botërore.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ruse, këtë veprim të tyrin e arsyetoi me pretendimin se komandot e saj që po merrnin pjesë në misionin SFOR në Bosnjën lindore, kishin hyrë në Kosovë për të përgatitur hyrjen e trupave ruse që do të merrnin pjesë në kuadër të KFOR-it. Ushtria ruse më pas u vendos në qendra të ndryshme të Kosovës, por pas disa viteve u tërhoq krejtësisht nga Kosova, ndërsa NATO vazhdon prezencën edhe sot, edhe pse me shkurtime të ndjeshme të numrit të forcës së saj ushtarake. (lajmi.net)