Serbët kërkojnë që ndërkombëtarët të angazhohen për ndriçimin e vrasjes së Ivanoviqit

Familjarë, politikanë e qytetarë të veriut të vendit sot kanë kujtuar të ndarë në dy grupe politikanin e ndjerë serb, Oliver Ivanoviq, në dyvjetorin e vrasjes së tij. Megjithatë, të dyja palët kanë kërkuar që rasti të zbardhet sa më shpejtë e madje edhe ndërkombëtarët të përfshihen në hetimin e ngjarjes.

Lajme

16/01/2020 14:18

Anëtarë të Listës Serbe, disa ish-bashkëpunëtorë, të afërt dhe qytetarë, kanë përbërë grupin e parë, të cilët rreth orës 10:00 kanë vënë kurora lulesh dhe kanë ndezur qirinj para selisë së SDP në veri të Mitrovicës.

Ndërsa, një orë më vonë, në të njëjtin vend kanë bërë homazhe dhe kanë ndezur qirinj para pllakës përkujtimore edhe familjarë të Oliver Ivanoviqit, miq, bashkëpunëtorë, si dhe qytetarë të tjerë.

Kjo ndarje vjen për shkak se disa anëtarë të partisë së Oliver Ivanoviqit i janë bashkuar kohë më parë Listës Serbe.

Bashkëpunëtorja e ngushtë partiake, Ksenija Bozhoviq, ka potencuar faktin se edhe pas dy vitesh, si urdhëruesi ashtu edhe vrasësi i Oliver Ivanoviqit mbeten anonim.

Ajo tha se do të punojnë të gjithë së bashku deri në ndriçimin e plotë të kësaj vrasje dhe sjelljes para drejtësisë të autorëve të saj.

“Akoma mbetet një pyetje pa përgjigje. Kush e urdhëroi dhe kush e vrau Oliver Ivanoviqin. Pas dy vitesh, unë nga ky vend mund të them se të gjithë së bashku do të punojmë në drejtimin që kjo vrasje të ndriçohet, dhe që porositësit dhe vrasësit e vërtetë të dalin para drejtësisë…Aktakuza e parë që është bërë dhe pastaj edhe e dyta shtesë, flet për punën e institucioneve të Kosovës, derisa ne këtë e kemi parë qysh në ditën e parë të gjykimit”, ka thënë Bozhoviq.

Edhe kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, ka apeluar tek organet e drejtësisë që sa më parë të zbulojë autorët e këtij krimi.

Sipas tij, ngritja e aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale ndaj bashkëpunëtores më të afërt të Ivanoviqit, tregon më së miri se në çfarë drejtimi janë duke shkuar hetimet.

“Apelojmë tek të gjithë, sidomos tek prokuroria dhe gjykata, që sa më parë të zbulojnë urdhëruesit dhe vrasësin e vërtetë të Oliver Ivanoviqit. Sepse në bazë të asaj që kemi dëgjuar së fundi, se akuzohet bashkëpunëtorja më e ngushtë sekretaresha e Ivanoviqit, kjo dëshmon më së miri se në çfarë drejtimi janë duke shkuar hetimet. Nuk do të heqim dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe qysh sot do të dërgojmë letër në të gjitha adresat, duke përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare që ta dërgojnë një ekip të tyre për t’i ndihmuar Prishtinës, nëse veç kjo e fundit nuk është në gjendje të zbulojë. Nuk e di nëse nuk dëshirojnë apo nuk duan, por do të kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të inkuadrohen në vijim të procesit të hetimeve”, theksoi Rakiq.

Në anën tjetër, ish-bashkëshortja e të ndjerit, Marina Ivanoviq, duke falënderuar të pranishmit për prezencën e tyre, ka bërë të ditur se deri sa të jetë gjallë, nuk do të ndalet së kërkuari të vërtetën për bashkëshortin e saj.

“Dua që në emër të familjes të falënderoj të gjithë që keni ardhur këtu dhe të cilët së bashku me ne parashtroni pyetjen e njëjtë, se kush dhe përse e vrau Oliver Ivanoviqin. Derisa të jemi gjallë do ta kërkojmë të vërtetën”, u shpreh ajo.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq, ish-lider i nismës qytetare Liri, Demokraci, Drejtësi (SDP) është vrarë në një atentat më 16 janar të vitit 2018, para selisë së SDP në veri të Mitrovicës, ndërsa Prokuroria e Shtetit deri tani ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohet se janë të ndërlidhur me vrasjen e tij.