Serbët këmbëngulin për Gjykatë Themelore në Veri

Pala serbe këmbëngul për një Gjykatë Themelore në Veri, ndërsa kjo është përjashtuar nga ekipi negociator kosovar. Ndërkohë Betim Musliu e ka fajësuar palën kosovare për çështjen e gjykatave.

Lajme

12/12/2013 12:39

Pavarësisht se ekipi negociator i ka thënë jo themelimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, pala serbe vazhdon të këmbëngul ë duke thënë se kjo është nënshkruar nga pala kosovare  në marrëveshjen e Brukselit.

Sipas burimeve të Radio Kosovës brenda Këshillit Gjyqësor thuhet se nuk do të ketë një Gjykatë Themelore.

Por përplasjet që po ndodhin në mes të palës kosovare dhe asaj serbe për sistemin gjyqësor sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vijnë si pasoj e lëshimeve që ka bërë Kosova.

”Në planin e zbatimit të Marrëveshjes që realisht e paraqet një marrëveshje të re thuhet se në kuadër të institucioneve që do të krijohen parashihen edhe themelimi i gjykatave themelore dhe krijimi i zyrave të Prokurorisë së Shtetit. Në këtë rast pala kosovare e bën një interpretim që kjo është keqkuptuar”,

”Këtu e kemi pas edhe një çështje që lidhet me strukturën organizative të gjykatave në Serbi. E kanë parë që mund të kërkojnë diçka më shumë në bazë të asaj që është nënshkrua në planin e zbatimit.

“ Megjithatë pala serbe këtu nuk ka argumente bindëse që ta fitoj këtë betejë të kompromisit me palën kosovare në raport me gjykatat”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij Ivica Dacic, pritet të takohen të premten në Bruksel, ku temë diskutimi pritet të jetë çështja e gjykatave në veri të vendit.