Serbët e veriut shprehen se “Parku i Paqës” nuk është vullnet i tyre
Më 18 qershor 2014, vetëm pak orë pasi serbët lokalë larguan barrikadën me beton nga ura kryesore e Ibrit në Mitrovicë, u vendos pengesa tjetër që ndan këtë qytet në dy pjesë. Ajo nga serbët u quajt ‘Parku i Paqes’, ndërsa nga shqiptarët ‘Parku i Turpit’

Lajme
Atëkohë u tha se ishin strukturat paralele dhe ato të Beogradit që e bënë këtë, sepse parku nuk ishte vullnet i serbëve të Mitrovicës Veriore, ndërsa sot, pikërisht pas një viti të vendosjes së këtij parku, qytetarët e asaj pjese e konfirmojnë një gjë të tillë.
Jellena Cvetkoviq, banore e veriut, ka bërë të ditur për KosovaPress se parku mbi urën e Ibrit nuk është vullnet i qytetarëve të veriut.
“Vërtetë nuk besoj se parku është vullnet i qytetarëve të Mitrovicës Veriore, por mendoj se është shfrytëzuar vetëm një moment politik për t’u vendosur ky park… Mendoj se është e pakuptimtë të bisedohet se një park i tillë mund ta mbroj këdo nga çfarëdo…Aktualisht po zhvillohen bisedimet dhe kur të fillojnë të zgjidhen disa çështje në Mitrovicë mendoj se do vije momenti kur edhe ai do të largohet, mbase jo në një të ardhme të afërt, por gjithsesi në një moment po”, ka thënë Cvetkoviq.
Fata Zatriqi, banore në lagjen ‘Tre rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës, tha se e do shumë Mitrovicën dhe dëshiron që të gjithë të jetojnë bashkë si dikur.
“Mezi pres që ky park të largohet dhe të bashkohemi, sepse jeta njëherë jetohet. Ne e duam shumë qytetin tonë dhe Mitrovica është qyteti më i mirë në Kosovë. Gjithmonë kemi jetuar të bashkuar dhe duam që edhe tutje të vazhdojmë në këtë mënyrë, sikur dikur. Absolutisht askush nuk e do parkun dhe nuk është vullnet i qytetarëve”, theksoi Zatriqi
Edhe Lubo Çevërdanoviq nga qyteti i Deçanit, i cili tha se jeton si refugjat në veri të Mitrovicës, ka mohuar se parku është vullnet i qytetarëve.
“Mendoj se ‘Parku i Paqes’ nuk është vullnet i qytetarëve të Mitrovicës Veriore, dhe nuk mund të jetë ai kurrë ‘Park i Paqes. Çfarë ‘Parku i Paqes’ është ai. Unë shpresoj se së shpejti do të gjendet një zgjidhje dhe parku do të largohet dhe të shkojmë përpara e me të mira, dhe jo të gabojmë thellë e më thellë”, theksoi Çevërdanoviq.
Për ”parkun” mbi Ibër u diskutua edhe në Bruksel nga delegacionet kosovare e serbe që ura të kthehet në gjendjen e mëparshme, derisa ajo vazhdon të mbetet në të njëjtin vend, pa ditur askush nëse do të largohet dhe kur do të ndodhë kjo.