Senati amerikan çon përpara mocionin kundër Arabisë Saudite

Senati i Shteteve të Bashkuara çoi përpara një mocion për të ndërprerë mbështetjen amerikane për një koalicion, të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton në Jemen.

Bota

29/11/2018 09:04

Në një goditje ndaj presidentit Donald Trump, senatorët votuan me 63 vota për dhe 37 kundër.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, u kanë bërë thirrje senatorëve që të mos e mbështesin mocionin, duke thënë se do ta përkeqësojë situatën në Jemen.

Votimi vjen pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, banor i SHBA-së.

Kritikat ndaj Arabisë Saudite janë rritur prejse Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Votimi në Senat do të thotë se debati i mëtejshëm për mbështetjen e SHBA-së për Arabinë Saudite pritet të vazhdojë javën e ardhshme.

Trump ka thënë më herët se nuk duhet prishur aleanca me Arabinë Saudite.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët është përfshirë në luftën në Jemen qysh në vitin 2015, në mbështetje të forcave qeveritare që luftojnë rebelët shiitë Huthi.

Koalicioni është akuzuar vazhdimisht nga grupet e të drejtave të njeriut për sulme të paligjshme mbi caqet civile dhe për bllokimin e ndihmave.

Riadi këmbëngul se bën gjithçka të mundur për të shmangur viktimat civile. /Rel/